Kombëtarja e Shqipërisë përballet sot me Kroacinë, kuqezinjtë në kërkim të fitores së parë
Kombëtarja e Shqipërisë sot zhvillon përballjen e dytë të saj në kuadër të grupit B në Kampionatin Evropian, ku përballet me gjigantin ballkanas, Kroacinë, me fillim nga ora 15:00.
Kuqezinjtë pësuan humbje në ndeshjen e parë ndaj Italisë me rezultat 2:1, ndonëse ishin në epërsi të hershme me golin rekord të Nedim Bajramit, që ishte më i shpejti në historinë e Kampionateve Evropiane, ndërsa Kroacia u mposht me rezultat të thellë nga Spanja 3:0.
Të dy skuadrat sot kërkojnë rezultat pozitiv, si mënyra e vetme për të kërkuar kalimin e grupeve, pasi që dihet se bëjnë pjesë në një grup të vështirë dhe kanë mundësi të përfitojnë nga takimi tjetër mes Italisë dhe Spanjës, ku njëra mund të gabojë.
Trajneri Sylvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti folën dje në konferencë për shtyp, ku u shprehen se kërkojnë rezultatin pozitiv sot në Hamburg, teksa duhet të luajnë edhe pak 'pisët' për të arritur deri te fitorja.
Kjo përballje zhvillohet në qytetin e Hamburgut, në stadiumin Volksparkstadion, ku ndeshjet i luan skuadra Hamburger SV e Bundesligës 2.
Gjyqtari kryesor i takimit do të jetë francezi Francois Letexier, që do të ndihmohet nga dy asistentët e tij në fushë, Cyril Mugnier dhe Mehdi Rahmouni. Gjyqtari i katërt është zvicerani Sandro Scharer, kurse në VAR do të jetë Willy Delajod nga Franca, me dy ndihmësit e tij.
Ndeshja tjetër e po këtij grupi zhvillohet nesër me fillim nga ora 21:00, si kryendeshja e natës.
Gjendja momentale në grupin B
