Kombëtarja e Shqipërisë e zhvillon seancën e fundit stërvitore për përballjen ndaj Italisë
Kombëtarja e Shqipërisë është gati për ndeshjen e parë në Evropianin 2024. Kuqezinjtë kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore në prag të përballjes me Italinë.
Me seancën e fundit të zhvilluar në Dortmund, që filloi në 18:30, Shqipëria mbyll përgatitjet për duelin e parë.

Kuqezinjtë nën drejtimin e trajnerit Sylvinho dhe stafit teknik u stërvitën për më shumë se një orë në stadiumin e ndeshjes, duke provuar vendosje taktike dhe situata të ndryshme loje.

Forma e lojtarëve është e mirë dhe deri më tani nuk ka probleme fizike për asnjërin me atmosferën që është shumë pozitive dhe të gjithë të gatshëm për të dhënë kontributin për takimin ndaj Italisë.

Sfida Itali – Shqipëri do të luhet nesër më datë 15 qershor, ora 21:00 në stadiumin e Dortmundit, Signal Iduna Park.