Kombëtarja e Kosovës sot zhvillon ndeshjen e fundit kualifikuese për EURO 2024, përballet me Bjellorusinë
Kombëtarja e Kosovës në futboll, sot do ta presë Bjellorusinë, në ndeshjen e fundit të kampanjës kualifikuese për EURO 2024, ku synohet fitorja, për të tentuar vendin e tretë, në rast se Izraeli dështon ndaj Andorrës në ndeshjen tjetër.
Barazimi me Zvicrën tre ditë më parë, shoi shpresat për ‘Dardanët’, edhe pse ato shpresa ishin shumë të vogla.
Një cikël kualifikues i filluar në mënyrën më të keqe në krye me Alain Giresse, bëri që Kosova, në fund të pajtohet sërish me një eliminim, ndonëse grupi ku ranë ishte ndër më të lehtit të mundshëm dhe me një seriozitet si në paraqitjet e fundit, vendi i dytë apo edhe i pari, nuk do të ishte i pamundur.
Dardanët momentalisht gjenden në vendin e katërt me 11 pikë të grumbulluara, pas dy fitoreve, pesë barazimeve dhe dy humbjeve, me Izraelin që ka një pikë më shumë, ndërsa Bjellorusia dy më pak.
Kujtojmë se nga ky grup, vendin për në EURO 2024 e ka siguruar Zvicra dhe Rumania, që sot përballen për vendin e parë.
Ndeshja mes Kosovës dhe Bjellorusisë do të zhvillohet në stadiumin në gjendje të mjerueshme, Fadil Vokrri, me fillim nga ora 20:45.