Kombëtarja e Kosovës në Basketboll sot përballet me Danimarkën për një vend në raundin e katërt të kualifikimeve për EuroBasket 2025 - NACIONALE

Kombëtarja e Kosovës në Basketboll sot përballet me Danimarkën për një vend në raundin e katërt të kualifikimeve për EuroBasket 2025

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Kombëtarja e Kosovës në Basketboll sot zhvillon ndeshjen më të rëndësishme të saj ndër vite. Në Prizren, Dardanët e presin Danimarkën në ndeshjen që do të vendosë se cila nga këto të dyja do të kualifikohet për në raundin e fundit të kualifikimeve për EuroBasketin 2025.

Kosova së bashku me Zvicrën dhe Danimarkën ishin pjesë e grupit H të raundit të tretë kualifikues, me Kombëtaren tonë që nga tri ndeshje të zhvilluara deri më tani ka fituar dy herë ndaj Zvicrës dhe ka humbur në udhëtim te danezët.

Përballja do të zhvillohet në qytetin e bukur të Prizrenit, në Palestrën Sezai Surroi me fillim nga ora 20:45, ku të udhëhequrit e trajnerit Rami Hadar do t’i duhet një fitore me +8 pikë apo më shumë për t’u kualifikuar tutje, ndërsa në çdo fitore nën tetë pikë, Danimarka do të jetë ajo që kualifikohet në raundin e katërt dhe të fundit të kualifikimeve para EuroBasketit 2025.

Kapiteni Dardan Berisha me shokë, sot do të synojnë të shkruajnë historinë, duke arritur në fazën më të lartë në nga pranimi me të drejta të plota në FIBA.

Lojtarët e Kombëtares sonë ishin të jashtëzakonshëm në ndeshjen e fundit ndaj Zvicrës, ku ishin duke humbur në tre çerekët e parë, për t’u rikthyer në çerekun e katërt për një fitore të madhe me +4 pikë 76:72.

May be an image of 11 people, people playing basketball and text

Një paraqitje e mirë prej Kosovës pritet edhe sot, ku Dardanëve me çdo kusht i nevojitet fitorja me tetë pikë epërsi apo më shumë dhe për këtë do ta kenë ndihmën e tifozëve të flaktë, pasi Palestra Sezai Surroi pritet të jetë e mbushur tërësisht në një ndeshje jetike si kjo.

Kujtojmë se në rast se Kosova arrin të kualifikohet në raundin e katërt të kualifikimeve, aty skuadrat do të ndahen në tetë grupe nga katër skuadra, që do të jetë faza e fundit para se të fillojë EuroBasketi.

Lajme të ngjashme