Kohë të vështira për Rashicën, lihet jashtë skuadrës për herë të dytë
Milot Rashica po përballet me një krizë të theksuar gjatë këtij fillimi të kampionatit në Championship me Norwich. Për herë të dytë me radhë ai nuk është grumbulluar me skuadrën.
Sulmuesi 26-vjeçar, Milot Rashica, po kalon në periudhën më gri të tij si futbollist gjatë viteve të fundit. Trajneri anglez, Dean Smith, vazhdon që të mos e ftojë atë në skuadër.
Në ndeshjen e sontme që po luhet mes Birmingham dhe Norwichit, emri i Milot Rashicës nuk figuron asgjëkundi. Ndoshta ky mund të interpretohet edhe si një sinjal i radhës që largimi i sulmuesit kosovar mund të jetë shumë i mundur para se të përfundojë afati kalimtar veror pas disa ditësh.
Mos grumbullimi i Rashicës në skuadër i Rashicës nga trajneri Smith është arsyetuar me faktin se sulmuesi vushtrrias po kalon një formë të brishtë dhe nuk është në elementin më të mirë të tij të mundshëm.
Gjithçka ndryshoi në momentin kur Rashica nuk ia doli të ishte produktiv gjatë dy ndeshjeve të para, kur luajti si titullar. Duke filluar nga ndeshja e tretë kampionale, asaj ndaj Huddersfieldit, Smith preferoi të luajë me Sinanin në vend të tij. Për fatin e keq të Rashicës, Sinani menjëherë la gjurmë duke shënuar gol. Me paraqitje të mira i njëjti vazhdoi edhe në ndeshjet vijuese.
Çfarë tha trajneri Smith gjatë ditës së djeshme për Rashicën?
Koha e kosovarit te skuadra angleze nuk është duke funksionuar më së miri, ku së fundmi Smith e përjashtoi nga skuadra.
“Që atëherë kemi bërë vetëm një seancë stërvitore. Ai u stërvit mirë. U ula dhe i shpjegova arsyet e mia siç i kam bërë me Adam Idah dhe Jordan Hugill. Kështu besoj se duhet të jetë dhe më pas i takon lojtarëve të më ndryshojnë mendje”, shpjegoi Smith dje gjatë konferencës për shtyp.
Smith nënvizoi se Rashica është blerë një vlerë mjaftë të lartë, andaj duhet të jep më shumë, duke shtuar se vetë kosovari synon të bëhet më i mirë.
“Ai ka pak vetëbesim për momentin, siç mund të jenë lojtarët. Ai ka marrë një asistim për golin e Max (Aarons) kundër Wiganit, por ai nënshkroi si një nënshkrim me para të mëdha në Premierligë dhe ai dëshiron të luajë në nivelin më të lartë”, theksoi Smith.
Ai tregoi sesi Rashica ishte duke punuar më shumë pavarësisht situatës së krijuar, duke u shprehur edhe optimist se do të qëndrojë te Norwich.
“Duke qenë në kampionat, ai me siguri pret pak më shumë nga vetja. Ai po punon shumë për këtë. Nuk ka dyshim për dëshirën dhe qëndrimin e tij. Ai dëshiron të jetë një lojtar i mirë dhe ne po e ndihmojmë atë me këtë”, përfundoi trajneri anglez.
