Klubet u njoftuan se takimi ka dështuar, nga FFK thonë të kundërtën - NACIONALE

Klubet u njoftuan se takimi ka dështuar, nga FFK thonë të kundërtën

3 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Klubet kosovare u njoftuan se takimi i ditës së martë nuk do të realizohet, por nënkryetari i FFK-së, Agim Dibrani thotë të kundërtën duke deklaruar se i pret me fillim nga ora 14:00.

FFK ende s’është licencuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), derisa as nuk i kanë plotësuar disa kushte për ligjin e sponsorizimit.

Kjo ka ndikuar të ketë zhvillime të mëdha këto javët e fundit, pasi siç dihet klubet tona s’kanë asnjë gjasë të vazhdojnë garat pa sponsorë, me krizën që do të vërehej menjëherë.

Klubet kosovare shkuan të shtunën e kaluar në FFK që të bisedojnë, por takimi nuk u realizua. Atyre iu kishte premtuar nënkryetari Agim Dibrani se një takim do të ndodhë të martën, por prapë ka dështuar.

Lidhur me këtë çështje, Nacionale ka kontaktuar nënkryetarin Agim Dibrani, i cili mundohej sa më parë ta kryente bisedën. Ai deklaroi se po i pret në takim klubet me fillim nga ora 14:00.

"Takimi është i paraparë të ndodh në ora 14:00. Unë do të jem ai që do t'i pres, nëse vijnë mirë".

Sidoqoftë, të kundërtën e dijnë klubet, që janë lajmëruar se nuk do të ndodhë asnjë takim. Sipas tyre ishte vetë Dibrani që i lajmëroi se Federata nuk është e disponueshme për këtë takim, pasi çështja e licencimit kryhet brena javës.

Presidenti i Trepçës ‘89 Abedin Zeka për Nacionalen ka konfirmuar se FFK i ka njoftuar që dyert janë të mbyllura, duke iu premtuar se licencimi do të kryhet brenda javës.

"Jo takimi na është refuzuar. Fillimisht na është premtuar, por pastaj na njoftuan se takimi nuk ndodh. Remzi Ejupi ka qenë në bisedime me Agim Dibranin, mirëpo pastaj na thanë se dyert e FFK-së janë të mbyllura. Na kanë premtuar që brenda javës kryhet licencimi".

Një gjë të tillë e konfirmoi për Nacionalen edhe drejtori i klubit futbollistik Drita, Valon Zymberi, që shtoi se Dibrani i ka lajmëruar që Federata s’është e disponueshme pasi licencimi kryhet brenda javës.

Takimi nuk do të realizohet pasi Federata na ka njoftuar se s’ka nevojë të mblidhemi pasi licencimi kryhet brenda javës. Ne kemi pas me shku në Federatë me e diskutu këtë gjë me Dibranin, por pastaj na tha se nuk ka me pas takim shkaku që licencimi kryhet brenda javës. Këtë gjë jo vetëm ne (Drita), por edhe klubet e tjera e mirëpriten si vendim”.

Negociatori i këtij takimi është ish presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, i cili para disa minutave konfirmoi që s’ka takim pasi Dibrani iu premtoi se sot ose nesër kryhet licencimi.

Po, unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me Dibranin. Na kanë premtuar takimin, por pastaj na njoftuan se s’ka nevojë pasi licencimi kryhet sot ose nesër. Prandaj nëse licencimi dhe ligji për sponsorizim kryhet brenda 48 orëve, atëherë ne jemi të kënaqur, pasi pa sponsorizim do të ishte vërtetë situatë shqetësuese”.

Kushtet që FFK-ja nuk po i plotëson për licencim

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) mori vërejtje të shumta nga Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kur bëri kërkesë për ta marrë licencën në shtator.

Ndër kushtet e para që FFK-ja nuk i plotësoi për të marrë licencë ishte mungesa e një certifikate unike nga gjykata që dëshmon se ndaj kreut të saj nuk është duke u zhvilluar procedurë penale. Ademi është në fakt në rigjykim për sulm dhe kërcënim ndaj një personi.

Kushti tjetër i rëndësishëm që FFK-ja s’e plotëson është pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, të cilën e mban avokati Taulant Hodaj si ushtrues detyre. Komisioni i kërkon FFK-së që ajo ta ketë një Sekretar të përhershëm siç e kërkon Statuti i Federatës me mandat katërvjeçar, të propozuar nga kryetari dhe të votuar nga Komiteti Ekzekutiv.

Federata mori vërejtje edhe për Komitetin Ekzekutiv, i cili i ka vetëm 11 anëtarë, pavarësisht se me Statut të Federatës i kërkohet t’i ketë 13 anëtarë. Një çështje tjetër që FFK-ja duhet ta zgjidhë për të marrë licencën.

FFK-së i mungon edhe një Këshill Mbikëqyrës të punës, të cilin e emëron Kuvendi i anëtarëve të organizatës sportive. Komisioni Vlerësues shprehu habinë se si federata e futbollit s’e ka një të tillë. Ky Këshill është detyrim për çdo federatë sportive me ligjin për udhëzim administrativ.

Komisioni ka gjetur se Statuti i FFK-së nuk është plotësisht i harmonizuar mbi baza ligjore me Kodin Etik e Disiplinor të FIFA-s dhe UEFA-s.

FFK-së i mungon rregullorja anti-doping dhe Komisioni Vlerësues i ka kërkuar asaj t’ia sjellë atë nëse dëshiron të licencohet.

Komisioni ka gjetur mangësi ligjore dhe në Rregulloren e Garave dhe Rregulloren Disiplinore të FFK-së.

FFK-së, sipas Komisionit, i mungojnë dëshmi që i ka të themeluara dhe plotësisht funksionale strukturat e qeverisjes, të cilat përmbajnë vendime, procesverbale dhe kontrata, si procesverbali i Kuvendit të Fundit Zgjedhor të FFK-së, ku Ademi u rizgjodh president për një mandat të ri katërvjeçar në maj, duke ua mbyllur derën mediave.

Lajme të ngjashme