Klubet më të mëdha të futbollit ankohen se nuk munden t'i vazhdojnë garat pa ligjin e sponsorizimit - NACIONALE

Klubet më të mëdha të futbollit ankohen se nuk munden t'i vazhdojnë garat pa ligjin e sponsorizimit

3 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Pa ligjin e sponsorizimit shumica e klubeve në Kosovë nuk do të munden t’i vazhdojnë normalisht garat, një gjë të tillë kanë konfirmuar Ballkanit, Drita, Prishtina dhe Llapi për Gazetën Nacionale.

Gjatë ditës së mërkurë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) bëri me dije se FFK nuk i ka plotësuar kushtet e saj që klubet të përfitojnë nga ligji i sponsorizimit.

E nëse kjo situatë nuk ndryshon brenda ditëve në vijim, atëherë klubet kosovare do ta kenë të vështirë vazhdimin e garave. Drejtori i FC Dritës, Valon Zymberi për Nacionalen theksoi se mungesa e sponsorizimit në klub do të vërehet qysh javën e ardhshme.

Në rast që një gjë e tillë është e vërtetë, atëherë do të jetë një katastrofë e vërtetë. Te klubi i Dritës një gjë e tillë do të vërehet qysh në javën e fundit të këtij viti. Ne kemi disa marrëveshje me sponsorët që duhet ta paguajnë koston e fundit brenda javës dhe kjo mund t’i ndryshojë tëra gjërat”.

Ai theksoi se tetë klubet e elitës së futbollit janë keq ekonomikisht edhe me ligjin për sponsorizim, duke pohuar se pa të do të ishte e vështirë të vazhdonin organizimin.

Kjo është vërtetë diçka e keqe pasi që 80 për qind e klubeve në Superligën e Kosovës janë keq ekonomikisht edhe me ligjin e sponsorizimit. E kam fjalën pra tetë klube nga 10 në ligën tonë dhe në rast që ndodh atëherë do të jetë skandaloze. Te Drita por besoj edhe te klubet e tjera një gjë e tillë do të vërehej menjëherë”, Valon Zymberi.

Ndërsa, presidenti i FC Ballkanit, Arsim Kabashi është optimist se kjo situatë do të përmirësohet, mirëpo gjithashtu bëri me dije se do të jetë ‘zor’ të vazhdonin.

"Po besoj që do të shkojë gjithçka në rregull dhe Federata të licencohet. Nuk mendoj që do të arrijë deri në atë pikë që i tërë sporti i Kosovës të mos licencohet. Ministria e di mjaftë mirë këtë punë që nuk ka hapësirë me lërë tërë sportin jashtë garës".

"Mendoj që nuk kemi me ardh deri në atë pikë. Normal që pa ligj të sponsorizimit është vështirë dhe zor e kanë jo vetëm Ballkani, por të gjitha klubet do të kenë probleme", u shpreh presidenti i kampionit të Kosovës.

E njëjta situatë vlen edhe për klubin e FC Prishtinës, me drejtorin Artan Osmani që nënvizoi se asnjë klub nuk mund t’i vazhdojë garat pa sponsorizim.

Ende ne s’kemi ndonjë gjë zyrtare, mirëpo në rast që një gjë e tillë ndodh atëherë klubi i Prishtinës pa sponsorë s’mundet me ia dal hiq. Jo vetëm ne, por në fakt asnjë klub në Kosovë nuk mund të vazhdojë garat. Pavarësisht që shumicën e shpenzimeve ne i paguajmë vetë, prapëseprapë ne nuk mund t’ia dalim”.

Ai tregoi se nëse është ndonjë problem i brendshëm i FFK-së, atëherë klubet duhet të mblidhen për ta diskutuar këtë situatë.

Nesër besojnë ata dalin me komunikatë zyrtare edhe e sqarojnë këtë situatë, pasi nëse është ndonjë problem i brendshëm atëherë klubet duhet të mblidhen dhe të diskutojnë”.

Kurse, trajneri i Llapit, Tahir Batatina paralajmëroi edhe një protestë para Ministrisë nëse nuk licencohet ligji për sponsorizim. Ai deklaroi se rreth 30 mijë do të dalin në Prishtinë për të protestuar.

"Mas pari dua t'ju them që nëse Ministria e merr një hap të tillë do t'iu garantojë që se paku 20 mijë njerëz do të dalin para ministrisë. Të gjitha klubet që kam biseduar qoftë nga Liga e Parë ose Superliga me të gjithë tifozëritë, ndoshta do të jetë sporti që e ndryshon këtë qasje. Nëse ata kanë inate personale me dikë nuk duhet të ndikohen klubet e Kosovës, më e keqja me u dëmtu donatorët, futbollistët, klubet e futbollit. Nëse ndodh do të jetë gabimi më i madh që ka marrë një ministër dhe një qeveri. Qeveria do ta ketë problem ta ndal një protestë masive, pra asnjëherë nuk do të ndodh që të mblidhen aq shumë njerëz. Kur vinë me u mbledh nga 5 mijë e 10 mijë në tribuna për Prishtinën, Llapin, Dritën, atëherë do të mblidhen edhe 30 mijë veta aty (para Ministrisë)".

Batatina kërkoi që Ministria t’i rregullojë punët me Federatën, por të mos dëmtohen klubet kosovare.

"Ministria nëse do me dal kundër futbollit, atëherë është gabim. Ne nuk do ta lejojmë. Të gjitha skuadrat dhe tifozëritë do të jenë midis Prishtinës, e ata e shohin si do t'ia dalin. Në vend se me na mbështet me kriju një ligj edhe më të favorshëm, ata bëjnë manovra të tilla për më i majt pozitat e tyre në Ministri. Unë mendoj që ministri Ceku gabon shumë rëndë. Problemet që kanë me Federatën duhet më i zgjedh, por asnjëherë të mos i dëmtojnë klubet në kurrizin e diku tjetër", u shpreh tekniku llapjanas.

MKRS pritet që nesër të del me komunikatë zyrtare duke sqaruar arsyet pse FFK-ja nuk i ka plotësuar kushtet për ligjin e sponsorizimit.

Lajme të ngjashme