Kloppi e thotë me mburrje: Sikur të mos ishim ne, Man City do të shpallej kampion në shkurt
Jurgen Klopp pretendon se Manchester City do të ishte kurorëzuar kampion i Premierligës në shkurt, sikur mos të ishte skuadra e tij Liverpool, duke nënvizuar se këto dy ekipe janë duke e shtyrë njëra-tjetrën në nivele “të çmendura”.
City dhe Liverpooli i kanë ndarë mes vete titujt e Premierligës në katër sezonet e kaluara dhe edhe këtë sezon janë duke luftuar kokë më kokë për titull, me skuadrën e Pep Guardiolës që prin me gjashtë pikë, megjithëse të kuqtë e kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Fakti që vetëm një herë në katër sezonet e fundit fituesi i titullit i ka fituar më pak se 98 pikë flet për nivelin në të cilin kanë arritur këto dy skuadra, ndërsa 81 pikët e fituara nga Manchester Unitedi është numri më i madh i pikëve i fituar nga një skuadër që nuk ka qenë nën drejtimin e Guardiolës apo Kloppit gjatë kësaj kohe.
Vendi i tretë, Chelsea, është 10 pikë larg Liverpoolit – dhe 16 pikë larg Cityt – dhe Klopp thotë se ai dhe ekipi i tij po e shijojnë sfidën e përpjekjeve për t’u bërë më të mirë se kampionët.
“Kjo është liga më e fortë në botë, nuk ka dyshim për këtë. Në fakt është sfidë dhe ne e shijojmë atë”, tha Klopp.
“Sikur ne mos të ishim këtu këtë vit, apo dy vite më parë, apo tri vite më parë, atëherë City do të ishte shpallur kampion në shkurt. Por edhe sikur City mos ishte këndej pari, mendoj se me shumë mundësi ne do të ishim kampionë”, shtoi ai.
Në të kaluarën, Guardiola e ka quajtur Liverpoolin si kundërshtarin më të fortë me të cilin është përballur deri tani në karrierën e vet si trajner.
Dhe Kloppi e thotë të njëjtën për skuadrën e Guardiolës.
“Mund të them se City është kundërshtari më i fortë me të cilin jam përballur”, e pranoi ai.