Klopp rreth shkarkimit të Tuchel: Nganjëherë pronarët janë njerëz nervoz dhe të padurueshëm
Shkarkimi i Thomas Tuchel gjatë ditës së sotme nga Chelsea ka befasuar të gjithë të apasionuarit e futbollit në botë.
Tuchel riktheu Chelsean në majën e Ligës së Kampionëve para dy vitesh, duke e mundur në finale Manchester Cityn.
Mirëpo rezultatet e dobëta në periudhën e fundit që ka shënuar skuadra, ua kanë humbur durimin drejtuesve të klubit, të cilët vendosin që t’ia komunikojnë shkarkimin nga detyra e trajnerit të skuadrës.
Jurgen Klopp, i cili në të kaluarën ka bashkëpunuar me Tuchelin, është shfaqur po ashtu i befasuar me këtë vendim të drejtuesve të klubit londinez.
Komenti i Klopp
I intervistuar para fillimit të ndeshjes së sontme ndaj Napolit nga gazetarja e “Amazon Prime Video”, Jurgen Klopp dha mendimin e tij në lidhje me lajmin që trazoi mediet ndërkombëtare, konkretisht thënë për shkarkimin e Tuchel.
“Tedesco dhe Tuchel u shkarkuan. Për trajnerët është gjithnjë e më e vështirë të ndërtosh një raport afatgjatë në një klub. Nuk them që është e pamundur, por është e vështirë. Fatkeqësisht, nganjëherë pronarët e klubeve janë persona nervozë dhe të padurueshëm”, theksoi ai.
Humbja e djeshme kundër Dinamo Zagreb me rezultat 1:0 ka nevrikosur tej mase ambientin në Chelsea, duke e vlerësuar si disfatë të papranueshme, e cila mund edhe t'ia komprometojë rrugëtimin në grupin që ndodhet në Ligën e Kampionëve.
Mund të konstatohet që rezultati i djeshëm ishte një motivim shtesë që nxiti drejtuesit e Chelseat që ta merrnin atë vendim.
Përmbledhja e ditës së sotme rreth shkarkimit të Tuchel
Todd Boehly e largoi Tuchelin vetëm tre muaj pasi e bleu klubin nga Roman Abramovich.
“Klubi i futbollit Chelsea i ka ndarë rrugët me trajnerin Thomas Tuchel”, thuhet në një njoftim të klubit londinez.
“Në emër të të gjithëve në Chelsea, klubi dëshiron t’i shprehë mirënjohje Thomasit dhe stafit të tij për të gjitha përpjekjet e tyre gjatë kohës me klubin. Thomasi do ta ketë një vend me meritë në historinë e Chelseat”.
Të kaltrit e Londrës i humbën dy prej gjashtë ndeshjeve të para në sezonin e ri në Premierligë, duke i arritur vetëm tri fitore dhe një barazim.
Tuchel, i cili u emërua në janar të vitit 2021, e udhëhoqi Chelsean në 100 ndeshje, duke ia fituar Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube gjatë qëndrimit njëvjeçar e gjysmë në Stamford Bridge.
Trajnerit gjerman iu dha një buxhet prej rreth 300 milionë eurove për ta përforcuar skuadrën në afatin kalimtar të verës. Ai i mori në klub yjet si Raheem Sterling, Kalidou Koulibaley, Pierre-Emerich Aubameyang, Wesley Fofana dhe Denis Zakaria.
Megjithatë, Chelsea ka treguar rezultate të dobëta deri tani këtë sezon, pasi renditet në vendin e gjashtë me vetëm 10 pikë, dhe e nisi sezonin me disfatë tronditëse në Ligën e Kampionëve.
Raportohet se Chelsea e ka tashmë një listë të ngushtë me zëvendësuesit e mundshëm të trajnerit gjerman.
Në mesin e atyre që mund ta zëvendësojnë Tuchelin thuhet të jenë Mauricio Pochettino, Graham Potter dhe Zinedine Zidane.

