Klopp: Ne duhet t’i bëjmë dy super ndeshje, Reali s’ka nevojë ta luajë lojën e vet më të mirë për të kaluar tutje
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, thotë se skuadra e tij duhet t’i zhvillojë dy super ndeshje për ta kaluar rrethin e 16 më të mirëve kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve.
Ai beson se kampioni në fuqi i Evropës nuk ka nevojë ta luajë lojën e vet më të mirë për të kaluar tutje.
Të kuqtë e tejkaluan disfatën 3:0 kundër Wolves në fillim të shkurtit duke i arritur dy fitore të rëndësishme kundër Evertonit dhe rivalit për top katërshe në Premierligë, Newcastle, për ta rigjetur rrugën e triumfit në prag të takimit me Madridin të martën në Anfield.
Klopp e pranon se skuadra e tij mund ta ketë rigjetur formën e mirë në kohën e duhur para përballjes me Madridin – 14 herë kampionin e Ligës së Kampionëve.
“Jam shumë i lumtur që ne mund të luajmë tani, para katër javëve do të kishte qenë ndryshe, por në jetë ka rëndësi koha. Mbase ne e kemi gjetur ritmin e lojës sonë për këtë ndeshje, edhe pse do të kisha pritur që të ishim vetvetja edhe sikur mos të kishim fituar dy ndeshjet e fundit, sepse kjo është tjetër garë dhe këtë mundësi duhet ta shfrytëzosh”, tha Klopp para ndeshjes.

Takimi i parë i një të tetës së finales mes Liverpoolit dhe Real Madridit zhvillohet nesër në orën 21:00 në Anfield.
“Ne duhet t’i bëjmë dy ndeshje super të mira, të jem i sinqertë, në mënyrë që të kalojnë në rrethin tjetër. Nuk e kam problem këtë sepse nëse ne nuk e luajmë lojën tonë më të mirë, nuk kemi shanse – Real Madridi nuk ka nevojë të bëjë lojën e vet më të mirë dhe prapë ka mundësi të kalojë tutje! Ky është dallimi. Goxha ndeshje e veçantë, mezi pres”, shtoi ai.
