Klopp mbron Nunezin: Po bën hapa të mëdhenj, është kërcënim i vërtetë për kundërshtarët
Darwin Nunez është paguar për afro 100 milionë euro për t’u transferuar në Liverpool nga Benfica. Paraqitjet e tij kanë qenë në qendër të kritikave. Sidoqoftë, Jurgen Klopp vazhdon ta mbrojë urguajanin.
Jurgen Klopp njihet si njëri prej trajnerëve që mbron më së shumti lojtarët nga kritikat dhe nga sulmet e ndryshme që mund t’u bëhen atyre nga eksponentë televizivë apo nga tifozë të shumëllojshëm të futbollit.
Njësoj po bën edhe me Darwin Nunezin. 23-vjeçari po kalon në një fazë të çuditshme te Liverpooli, ku nuk bind aspak me paraqitje në lojë, por ndonjë gol aty këtu edhe e shënon.
Për trajnerin gjerman ajo çfarë ka treguar sulmuesi amerikanojugor është tregues i mjaftueshëm për përmirësimin e tij të ndjeshëm.
“Darwin (Nunez) është një kërcënim për kundërshtarët. Merr pjesë në aksionet sulmuese – është gjithmonë një opsion”, shtoi ai.

Trajneri i Liverpoolit i dha merita Nunezit për përfshirjen në golat e shënuar të martën në fitoren 2:0 kundër Napolit në Ligën e Kampionëve.
“Të martën është përfshirë në të dy golat. Kështu që, po bën hapa të mëdhenj”, përfundoi ai.
Dy ekstremet e Nunezit
Karriera e Darwin Nunezit te Liverpooli po shoqërohet me dy ekstreme të ndryshme: në një anë është një vështirësi tejet e skajshme dhe lehtë e vërejtshme për t’u përshtatur me skemën vertikale të lojës së Kloppit, ndërsa në anën tjetër kritikat dhe të metat i sanon disi me një mesatare golash jo të keqe.
Aktualisht që flasim, Nunez ka zhvilluar 15 paraqitje me Liverpoolin, ku ka shënuar 7 gola. Thuajse një gol çdo dy ndeshje, për dikë që vjen nga një kampionat i një niveli më të ulët siç është ai portugez, nuk është krejt pak.
Legjenda të Liverpoolit, si Fowler, sulmuesi kryesor së bashku me Owenin në mes të mileniumit të vjetër dhe këtij të riut, i ka dalë në mbrojtje atij, duke thënë se ka të gjitha tiparet për të bërë mirë me fanellën e Liverpoolit.
Bashkëlojtarët gjithashtu janë munduar ta mbrojnë, përkundër një fushate që nuk rresht së ndaluri, e që për qëllim ka sa kritikën, aq zhvlerësimin e tij.

Sidoqoftë, ajo çfarë është lehtë e prekshme është pakënaqësia në masë të madhe e tifozëve të Liverpoolit me Nunezin, të cilët shpresonin që klubi kishte gjetur një profil ideal të “9”-shit, si ata të dikurshmit që kishin bërë dallimin më herët në këtë skuadër: nga Fowler, deri tek Owen, Torres apo vetë Suarez.
Edhe pse Liverpooli po vuan me një numër të madh lëndimesh në repartin e sulmit, nga Jota deri te Diaz, Nunezi nuk ka mundur akoma të jetë ai lojtari që merr mbi supet e veta sulmin e ekipit. Për më shumë, koordinimi i tij me pjesën tjetër të sulmuesve lë për të dëshiruar. Shembulli më i mirë ishte ndeshja ndaj Manchester Cityt, kur ai nuk pasoi në dy raste që Salah ishte i lirë, për çka nxiti një reagim frustrues të “mbretit egjiptian”.

