Kjo është renditja e re në Serie A pas dënimit të Juventusit
Gjiganti italian, Juventusi, ka marrë lajmin më të keq në vitet e fundit që nga skandali ‘calciopoli’. Gjyqësori italian sportiv ka thënë fjalën e fundit të saj, duke dënuar zonjën e vjetër me 15 pikë në renditjen e tanishme në Serie A. Por sa e afekton kjo 36-herë kampionin italian?
Prokuroria pranë Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) sot kërkoi që Juventusi të dënohej me -9 pikë, por gjykatësit vendosën që ta dënojnë edhe më rëndë: pra, me -15 pikë. Kjo do të thotë se bardhezinjtë do të zbresin nga pozita e tretë ku kishin 37 pikë aq sa Interi i vendit të katërt, në vendin e 10-të me 22 pikë, aq sa ka edhe Bologna e Empoli që janë në pozitën e 11-të dhe 12-të, respektivisht.

Vendimi u mor para pak çastesh dhe aty thuhet se të gjitha klubet tjera që ishin në proces gjyqësor janë shfajësuar.
Përveç Juventusit, të dënuar janë edhe drejtuesit e saj, në një seancë gjyqësore që po vlerësohet si tronditëse në mediat italiane.
Pas dhjetë ditësh nga sot do të bëhen publike të gjitha arsyetimet e gjyqësorit sportiv italian që kanë shtyrë që të merrej një vendim kaq drastik.
Ndërkaq, edhe Juventus do ta përdorë shkallën e ankimimit për të kërkuar që të zbutet dënimi në fjalë dhe të rishqyrtohet në tërësi.
Kujtojmë se zhvillimet në klubin më të trofeshëm italian kanë qenë dramatike gjatë muajve të fundit. Pak javë para fundit të vitit kalendarik 2022, i gjithë Këshilli Drejtues i Juventusit ofroi dorëheqje, duke i lënë kështu hapësirë një kaste të re drejtuesish.

Presidenti Agnelli, drejtori Nedved dhe të tjerët – tani duhet t’i bëjnë llogaritë me ligjin, pasi shihen si fajtorë të deklarimit të bilanceve vjetore që nuk ishin në përputhje me shifrat e vërteta.

