Kërkohet me ngulm nga Man Unitedi, Leon Goretzka thyen heshtjen mbi të ardhmen
Mesfushori Leon Goretzka ka refuzuar mundësinë për t’u larguar nga Bayern Munichu këtë verë, pavarësisht interesimit të madh të Manchester Unitedit.
Sipas “Mail Sport”, gjiganti gjerman është i hapur për shitjen e 28-vjeçarit pas pesë viteve, me Erik ten Hag që do të donte ta kishte në skuadër.
Mirëpo, Goretzka për mediat gjermane insiston se është tejet i lumtur në “Allianz Arena” andaj nuk do të largohet.
“Nuk mendoj të largohem nga Bayern Munichu. E dua klubin, qytetin dhe tifozët”, deklaroi ai shkurtimisht për “Sky Germany”.
Bayern Munich thuhet se do ta pranonte një ofertë të ulët prej 34 milionë funteve, por që gjermani duket se do të vazhdojë të qëndrojë në Mynih.
Trajneri Thomas Tuchel e ka njoftuar Goretzkan se nuk mund t’ia garantojë vendin e titullarit, shkaku i garës tejet të madhe brenda skuadrës.
Goretzka ka bërë 40 paraqitje në të gjitha garat edicionin e kaluar, por i kishte minutat e limituar në javët e fundit.
Që kur iu bashkua “Bavarezzëve” në vitin 2018, Goretzka ka fituar pesë tituj të Bundesligas dhe një herë Ligën e Kampionëve.
