“Keni kualitetin për t’u kualifikuar në këtë Evropian”, Tom Saintfieit tregon nëse do ta zëvendësojë Giressen - NACIONALE

“Keni kualitetin për t’u kualifikuar në këtë Evropian”, Tom Saintfieit tregon nëse do ta zëvendësojë Giressen

3 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Kombëtarja e Kosovës ka ende gjasa që të kualifikohet në Kampionat Evropian, kështu deklaroi për Gazetën Nacionale trajneri belg Tom Saintfieit.

Federata e Futbollit të Kosovës shkarkoi të martën ish përzgjedhësin Alain Giresse, si pasojë e rezultateve negative në këto kualifikuese.

Një ndër emrat që u përmend së fundmi ishte i Saintfieit, që momentalisht është përzgjedhës i Gambisë.

Tekniku belg në një intervistë për Nacionalen, konfirmoi se ka pasur interesim që ta drejtojë Kosovën para se të punësonin Bernard Challandesin, apo edhe Alain Giressen.

“Në të kaluarën kam pasur një interesim të madh te puna e Kosovës (për t’u bërë përzgjedhës), para Challandes ose Giresse. Mendoj se Kosova është një kombëtare e shkëlqyer me lojtarë kualitativ dhe ka potencialin edhe tani në këtë situatë që të kualifikohet në Kampionatin Evropian. Ende mund të marrin pikë që t’i afrohen Rumanisë sepse kanë kualitet të shkëlqyer”.

Mirëpo ai e bëri me dije se nuk është në bisedime me FFK-në, ngase s’ka pasur asnjë kontakt që kur u shkarkua tekniku francez.

“Në të kaluarën kemi luajtur kundër në Turqi (miqësorja ndaj Gambisë kur Challandes ishte në krye), por para disa viteve gjithashtu kam pasur një bisedë të shkurtër me drejtorin teknik. Por së fundmi nuk kam pasur asnjë kontakt me FFK-në”.

Saintfieit nënvizoi se Kombëtarja e Kosovës mund të kualifikohet në Kampionatin Evropian “Euro 2024” falë kualitetit të futbollistëve.

“Siç thashë besoj në kualitetin e shtetit (të Kosovës), ende mund të kualifikohen në Kampionat Evropian me gjashtë ndeshje të mbetura. Nëse sheh lojtarët që ka Kosova dhe klubet ku luajnë, pra ka lojtarë kualitativ, me eksperiencë si dhe të rinj”.

I pyetur nëse do të ishte i hapur për të drejtuar Kosovën nëse i ofrohet kjo pozitë, ai deklaroi se ka ende kontratë me Gambinë edhe për tre vite.

“Kam ende kontratë me Gambian deri në qershor të vitit 2026. Jam i lumtur këtu dhe duke bërë një punë të mirë, duke punuar me lojtarë të shkëlqyer si dhe marrë rezultate të mira me një Federatë të shkëlqyer”.

Saintfieit në të kaluarën ka drejtuar Maltën, Trinidad e Tobagon, Bangladeshin, Togon, Jeminin dhe disa klube.

FFK është në kërkim të pasuesit së Giresses, që e shkarkuan menjëherë pas humbjes nga Bjellorusia – gjë që i zbehu gjasat për kualifikimin e mundshëm.

Kosova renditet e pesta në grup me vetëm tre pikë të mbledhura pas katër xhirove, duke qenë plot shtatë prapa Rumanisë që zë vendin e dytë në tabelë dhe katër prapa Izraelit.

Ndeshjen e radhës “Dardanët” do ta zhvillojnë në shtëpi ndaj Zvicrës në “Fadil Vokrri”, kurse tre ditë më vonë do të udhëtojnë për në Rumani.

Lajme të ngjashme