KB Trepça mohon spekulimet, Drilon Hajrizi mbetet pjesë e skuadrës
Në ditët e kaluara u raportua se Drilon Hajrizi ka ndarë rrugët me skuadrën e tij të zemrës, KB Trepçën, por kjo sot u mohua nga klubi nëpërmjet një komunikate të lëshuar në rrjetet sociale.
Hajrizi që është njëri nga basketbollistët më të mirë të të gjitha kohërave në Kosovë, është duke u rikuperuar nga një infeksion (meningitis) dhe nuk do të luajë edhe për disa kohë.
Klubi mitrovicas dhe Driloni nënshkruan një kontratë pas një sezoni të jashtëzakonshëm së bashku, ku lojtari në fjalë do të bëhej kapiten i skuadrës, ndonëse tifozët e klubit e kundërshtuan dhe vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën gjë akoma, pasi kanë hatërmbetje me yllin kosovar për një kohë të gjatë.
Ndonëse u raportua për ndarje të rrugëve, kjo sipas klubit nuk ka ndodhur, por që shiriti i kapitenit i është besuar një talenti premtues.
Në komunikatën e lëshuar në Facebook, KB Trepça sqaron:
"Të nderuar dashamirë e simpatizant të Klubit. Ju informojmë se me vendim të Bordit të klubit, kapiten është emëruar Anes Gashi.
Drilon Hajrizi është pjesë e Trepçës. Ne i urojmë shërim sa më të shpejtë dhe rikthimin e tij në parket"
KB Trepça e ka nisur shumë mirë sezonin e ri, duke triumfuar në Superkupën e Kosovës, teksa sezonin në Superligë e filloi me fitore ndaj Yllit në mesjavë.
Drilon Hajrizi pritet të kthehet në pjesën e dytë të sezonit, nëse rikuperimi i tij nga infeksioni në tru shkon në mënyrën më të mirë.