KB Prishtina në finale të Ligës Ballkanike, e mposht me rezultat të thellë skuadrën nga Mali i Zi - NACIONALE

KB Prishtina në finale të Ligës Ballkanike, e mposht me rezultat të thellë skuadrën nga Mali i Zi

2 javë më parë

nga NACIONALE

KB Sigal Prishtina ka shënuar fitore të thellë me rezultat 89:69 ndaj skuadrës nga Mali i Zi, KK Lovcen, në gjysmëfinale të Ligës Ballkanike, me çka ka arritur në finale të kësaj gare, të cilën e ka fituar dy herë gjatë historisë së klubit.

Skuadra nga kryeqyteti i Kosovës e dominoi sezonin e rregullt të Ligës Ballkanike, duke përfunduar e para në renditje, teksa edhe sot tregoi formën e lartë në këtë garë.

Prishtina e filloi shumë mirë takimin, duke fituar çerekun e parë me rezultat 25:14, apo 11 pikë epërsi.

Paraqitja e mirë e skuadrës së Albert Sylejmanit vazhdoi edhe përgjatë periodës së dytë, me prishtinasit që shkuan në pushim me 16 pikë epërsi, apo rezultat 47:31.

Lovcen në këtë takim fitoi vetëm çerekun e tretë dhe atë me rezultat 22:15, duke lënë që ndeshja të përcaktohej në 10 minutat e fundit të takimit.

Prishtina kishte nëntë pikë epërsi dhe këtë e menaxhuan në mënyrën më të mirë të mundshme, madje duke e rritur atë në 20 pikë deri në fund, për ta fituar ndeshjen me rezultat 89:69.

Kështu skuadra më e trofeshme kosovare e vazhdon rrugën e saj në Ligën Ballkanike, duke kaluar në finale, ku e pret fituesin nga gjysmëfinalja tjetër që luhet mes AEL dhe Pejës sot me fillim nga ora 19:30.

Në këtë takim, më i dalluari ishte Smith që shënoi 14 pikë, ndërsa u ndihmua nga Clark me 10 pikë e tetë asistime, Davis kontribuoi me 12 pikë, Dardan Berisha me nëntë dhe Sirko me 11 sosh.

Te Lovcen katër lojtarë patën pikë dyshifrore, por që nuk ishin të mjaftueshme që ata të fitonin këtë përballje.

Final Four i Ligës Ballkanike po zhvillohet në Qipro, ku finalja e madhe luhet më 14 prill.

Sigal Prishtina është dy herë kampione e kësaj gare, madje duke e vituar radhazi në vitin 2015 dhe 2016.

Lajme të ngjashme