KB Peja mbetet skuadra e vetme pa humbje në Superligën e Kosovës, e mposht në derbi KB Trepçën
Përballja mes Pejës dhe Trepçës në këto dy vitet e fundit është shndërruar në derbin kryesor të basketbollit kosovar, kjo edhe për shkak të sukseseve të këtyre dy skuadrave. Sot në Palestrën Karagaqi triumfuan pejanët me rezultat 92:80, duke vazhduar e vetme pa humbje në elitën e basketbollit, ndërsa mitrovicasit u njoftuan me humbjen e parë.
Kjo përballje ishte paraparë të zhvillohej më herët, por që angazhimet në garat evropiane, bën që ndeshja të shtyhej për sot.
‘Shqiponjat’ ishin skuadra më e mirë në parket në pothuajse krejt takimin, andaj triumfuan në tre çerekët e parë, me vetëm 10 minutat e fundit që Trepça ishte më e mirë me pikët e shënuara.
Çereku i parë u mbyll me epërsi prej 11 pikëve nga Peja, apo 27:16, ndërsa në pushim vendasit shkuan me 13 pikë epërsi, apo rezultat 45:32.
Në pjesën e dytë, Trepça filloi paksa këndelljen, por që nuk arritën ta shkrinin rezultatin deri në fund. Çereku i tretë përfundoi në të mirë të pejanëve me rezultat 25:24, ndërsa perioda e fundit ishte në të mirë të Trepçës 24:22, apo rezultat përfundimtar 92:80.
Më i dalluari në këtë takim padyshim ishte John Chandler, që shënoi 39 pikë dhe ndihmoi me pesë rebounds e tre asistime. Në anën tjetër te mitrovicasit më i dalluari ishte Bracy-Davis me 28 pikë, shtatë rebounds e tre asistime, i cili pati ndihmën e Tmusic me 19 pikë.