KATAR 2022 | Ronaldo tani në rolin e superyllit rezervist që askush s’e do
Cristiano Ronaldo ka hyrë tani në rolin e superyllit që askush nuk e dëshiron, pasi Portugalia e ndoqi rrugën e Manchester Unitedit duke vendosur se do të jetë më e mirë pa të në fushë.
Dhe më e mirë pa të ishte padyshim, pasi guximi i trajneri Fernando Santos u shpagua nga të besuarit e tij të cilët e mposhtën Zvicrën me lehtësi të madhe 6:1, për të arritur në çerekfinale ku përballë do ta kenë Marokun.
Vendimi i Santosit për ta lënë Ronaldon në stol jo vetëm që ishte i arsyeshëm, pasi e kishte kritikuar publikisht gjestin e tij kur ishte zëvendësuar në ndeshjen e fundit grupore kundër Koresë Jugore, por ai goditi mu në shenjë sepse zgjedhja e tij për sulm, i riu Goncalo Ramos, shënoi het-trik fantastik.
Kjo është një kohë e vështirë për egon dhe krenarin e 37-vjeçarit Ronaldo, sepse, së pari, karriera e tij në Manchester United përfundoi shumë keq pasi ai e kritikoi publikisht klubin dhe tani Portugalia e ka bërë atë që dikur ishte e paimagjinueshme, duke e lënë atë jashtë formacionit titullar në një turne të madh, që ndodhi për herë të parë prej vitit 2008.
Kjo ishte natyrisht vendimi më i guximshëm nga një trajner në këtë Botëror dhe vendimi më i guximshëm i Santosit gjatë tetë viteve të tij në krye të Portugalisë.
Santos, megjithëse e fitoi Euro 2016, duhet të ketë qenë në dijeni se sa shumë po rrezikonte duke e bërë këtë ndryshim sizmik.
Sikur Portugalia të kishte humbur, ai do ta kishte dikur se kush do ta barte përgjegjësinë për eliminimin dhe nuk do të kishte qenë Cristiano Ronaldo.
Por Santosi ishte dëshmitar i një Portugalie më të gjallë, më të lëvizshme dhe më kërcënuese pa pasur nevojë të përqendrohet plotësisht në praninë e mbifuqishme të Ronaldos.

Portugalia lëvizi me lehtësi në mesfushën e kontrolluar nga Bernardo Silva dhe Bruno Fernandes, dhe në sulm me 21-vjeçarin e Benficas Ramos, që deri mbrëmë nuk njihej shumë për aftësitë e tij për të shënuar gola, i cili mund ta ketë ndier lehtësisht peshën e zëvendësimit të Ronaldos.
Joao Felix, dikur kokëfortë por plot talent, u duk i çliruar pothuajse sikur bashkëlojtarët e tjerë të tij.
Ronaldo, para kësaj ndeshjeje, kishte luajtur 514 minuta në fazën e eliminimit në Kupën e Botës pa shënuar gol. Ramosi i shënoi tri për vetëm 67 minuta.
Një çerek orë para fundit, Santos e futi Ronaldon në lojë dhe i gjithë publiku e priti me brohoritje dhe duartrokitje. Sa herë që ai e preku topin, kishte brohoritje, por edhe kjo vëmendje e shkurtër mbi të u prish nga një tjetër talent portugez, Rafael Leao, i cili shënoi gol në kohën shtesë.
Pas përfundimit të ndeshjes, Ronaldo e duartrokiti turmën dhe iku i pari drejt dhomës së zhveshjes, duke i lënë në fushë për të festuar ata që e merituan, bashkëlojtarët e tij që bënë lojën më të mirë deri tani në Katar dhe përçuan një mesazh kërcënues për ata me të cilën do të përballen.

Ronaldo ende nuk e ka dhënë një kontribut vendimtar në këtë turne dhe është e vështirë ta mendosh se ai do të jetë titullar kundër Marokut në çerekfinale.
Siç thotë një thënie e vjetër, Ronaldos ishte e ardhmja dikur. Ai tani duket goxha si e kaluara dhe e ardhmja i takon yjeve në ardhje, siç janë Ramos dhe Leao.
Çfarë e pret tani idhullin e rënë të klubit dhe të kombëtares? Më së shumti banka rezervë kundër Marokut.

