KATAR 2022 | Megjithëse me mund, Polonia arrin të triumfojë kundër Arabisë Saudite
Polonia ka arritur ta arkëtojë fitoren e parë në grup duke mposhtur 2:0 Arabinë Saudite. Një ndeshje plot ritëm, ku nuk mungoi asgjë mes shtyllave, penalltive të humbura dhe episodeve kontestuese të referimit.
Megjithëse Arabia Saudite ishte më bindëse në lojë në një pjesë të konsiderueshme të lojë, ajo u desh të pajtohet me një humbje ndaj Polonisë.
Polakët u treguan shumë pragmatikë dhe klinikë, duke qëndruar të tërhequr në pritje të organizimit të kundërsulmeve, e që si taktikë e lojës u shkoi përshtati.
E para e rrezikshme u shfaq Arabia Saudite. Në minutën e 13-të ishte Kanno ai që me një goditje të fuqishme u mundua të shënojë, por Szczesny tregoi reflekse të larta.

Në një moment kur loja hyri në fazë shumë të luftuar, me shumë ndërprerje e kartonë të verdhë, Polonia gjeti rrugën e rrjetës.
Saktësisht në minutën e 39-të ishte Lewandowski ai që shpëtoi topin në vijën e rivënies këndore në 16-metërsh, për të shërbyer më pas në zonë për Zielinskin, i cili nga afërsia nuk gaboi duke shënuar për 1:0.
Arabia Saudite reagoi shumë shpejt. Pas katër minutave ishte Al Shehri që u pengua në zonë të rreptësisë. Pas një minuti gjyqtari Sampaio vendosi të shkojë vetë për t’i parë pamjet e reprizuara të rastit në fjalë.
Më pas ai vendosi që të akordojë penallti në favor të Arabisë Saudite, edhe pse kontakti ishte fare i lehtë dhe u kontestua në segmente të caktuara të medieve botërore.
Gjithsesi, nga pika e bardhë në minutën 45+1’ Al Dawasari nuk arriti ta shkundë portën e polakëve. Goditjen e tij e priti mjaft mirë portieri i Juventusit, Szczesny.
Në pjesën e dytë kombëtarja aziatike hyri me të njëjtin mentalitet sulmues, duke qenë edhe më këmbëngulëse. Kështu, në minutën e 55-të u desh sërish një pritje bravoroze e portierit Szczesny për ta mbajtur portën e tij të paprekur, pasi Al Dawsari koordinoi një goditje të rrezikshme nga një pozitë e volitshme shënimi.
Polonia u kundërpërgjigj pak minuta më vonë. Ishte Milik që goditi shtyllën e lartë të portës pas një goditje nga zemra e zonës së rreptësisë kundërshtare.

Më pastaj, në skenë doli Lewandowski. Në minutën e 82-të ai shfrytëzoi një gabim të pafalshëm të mesfushorit Al Malki, të cilit i iku topi nga këmbët.
Lewandowski më pas i gjendur i vetëm me portierin nuk gaboi dhe shkundi portën për 2:0, duke ia sjellë Polonisë kështu edhe golin e qetësisë.
Këtu u thye edhe mallkimi i sulmuesit të Barcelonës në Kampionatin Botëror, pasi asnjëherë më parë nuk kishte arritur të shënonte.

Lewandowski në minutën e 90-të pati një tjetër rast konkret për gol, por gjysmë-parabolimin me të cilin tentoi ta fuste topin në rrjetë, e lexoi portieri arab, duke shpëtuar portën e tij.
Krejt në fund, Polonia iu gëzua fitores me rezultat 2:0. Kjo ishte fitorja e parë që arrin në Grupin C pas barazimit që kishte regjistruar me rezultat 0:0 ndaj Meksikës në sfidën e parë.
Për momentin Polonia udhëheq me 4 pikë në këtë grup, e ndjekur nga Arabia Saudite me 3 pikë, Meksika me 1 pikë dhe Argjentina në fund pa asnjë pikë.

Megjithatë, ndeshja tjetër e rrethit të dytë në këtë grup do të luhet më vonë gjatë së sotme. Në mbrëmje Argjentina do të luajë me Meksikën.
Kujtojmë se si Polonia, ashtu edhe Arabia Saudite – ndeshjet e fundit të grupit do t’i zhvillojnë më 30 nëntor në të njëjtin orar, respektivisht 20:00. Polonia do të ndeshet ndaj Argjentinës, kurse Arabia Saudite ndaj Meksikës.
Përmbledhja e ndeshjes Poloni - Arabi Saudite:

