KATAR 2022 | Lionel Messi i papërmbajtshëm, Argjentina i jep leksion Kroacisë dhe kualifikohet në finale
Kombëtarja e Argjentinës ka shënuar fitore bindëse në gjysmëfinale të Kupës së Botës "Katar 2022" kundër Kroacisë.
Pavarësisht dominimit të madh të kroatëve, argjentinasit i konkretizuan rastet duke fituar me rezultat 3:0.
Ndeshja ishte shumë e barabartë në fillim me Kroacinë që mbajti më shumë posedimin, por nuk kishin ndonjë goditje, derisa Argjentina provonte me disa kundërsulme.
Në fakt, përmes një kundërzbritje të shpejtë, sulmuesi Julian Alvarez u faulla nga portieri Livakovic brenda zonës dhe arbitri akordi 11-metërsh.
Nga penalltia i pagabueshëm ishte Lionel Messi që i dha epërsinë Argjentinës (34').
Ndërsa, vetëm pesë minuta më vonë Julian Alvarez mori topin nga gjysma e fushës duke arritur ta mbroj deri në fund, për ta konkretizuar në rrjetë nga afërsia (39').
Me këtë gol, Argjentina ishte shumë më e qetë, rezultat me të cilin edhe përfundoi kjo pjesë.
Kroacia vazhdoi të ketë posedimin gjatë pjesës së dytë, por kur askush nuk e priste, Lionel Messi mori një top dhe e dribloi për mrekulli Gvardiol, duke asistuar në fund për Alvarez, që e kishte të lehtë të shënonte nga afërsia për të vulosur fitoren.
Vlen të ceket se në këtë ndeshje luajti edhe mesfushori me tipare ofensive Paulo Dybala, i cili tërë këtë kampionat botëror qëndroi në stol.
Kështu, Argjentina tani avancon në finale të Kupës së Botës "Katar 2022", ku kundërshtarin do ta mësojë nesër pas përballjes Francë - Maroku.
Kujtojmë, finalja zhvillohet ditën e diele me fillim nga ora 16:00.