KATAR 2022 | Fitore apo humbje - Messi do të hyjë në histori të Kupës së Botës, ja pse?
Vetëm një gjë është në mendje të Lionel Messit. Triumfi me Argjentinën në finalen e Kupës së Botës në Katar kundër Francës.
Sidoqoftë, 35-vjeçari e ka të garantuar se sot do të shkruajë historinë në një mënyrë apo në tjetrën.
Kjo sepse, me të filluar takimi dhe kur është e pastër si loti se Messi do të startojë, ai do të bëhet futbollisti me më së shumti paraqitje në historinë e Botërorit.

Argjentinasi e barazoi rekordin e mbajtur nga legjenda gjermane, Lothar Matthaus, duke bërë paraqitjen e 25-të në fitoren 3:0 ndaj Kroacisë në gjysmëfinale.
Tani në Botërorin e tij të pestë, Messi do ta zhvillojë paraqitjen e 26-të sot, më shumë se kushdo tjetër në histori.
Gjithashtu, nëse gjeniu argjentinas kalon minutën e 24-tët të takimit, ai do ta kalojë legjendën italiane, Paulo Maldini me 2217 minuta të luajtura në Kupën e Botës.
Dhe ka shpresë që Messi nuk do të bëjë histori vetëm duke u paraqitur.

Shumë njerëz anembanë botës besojnë se shtatë herë fituesi i Topit të Artë do të çimentojë vendin e tij si lojtari më i mirë i historisë, me një triumf sot në finale.
Messi ka qenë frymëzues për kombëtaren e tij, duke shënuar pesë gola dhe dhuruar tre asiste në gjashtë paraqitje, kështu duke shënuar në çdo fazë të këtij turneu.
Në fakt, ai mund të bëhet lojtari i vetëm në histori që ka shënuar gol në fazën e grupeve, 1/8, çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale të një Botërori.

Ndërkohë, Messi në total aktualisht ka 11 gola e tetë asistime në karrierën e tij në Kupën e Botës dhe një tjetër përfshirje në gol, do të kishte rëndësi të madhe.
Kjo do ta bënte yllin e Paris Saint-Germain të parin që arrin në 20 gola të përfshirë në Botëror, pasi njëjtë me të gjenden legjendat si: Miroslav Klose (16 gola, tre asistime), Ronaldo Nazario(15 gola, katër asistime) dhe Gerd Muller(14 gola, pesë asistime).

