Katar 2022 | FFK paraqet ankesë në FIFA ndaj Serbisë - NACIONALE

Katar 2022 | FFK paraqet ankesë në FIFA ndaj Serbisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se ka paraqitur ankesë në shtëpinë e futbollit botëror, për siç thonë ata ‘veprimin agresiv të ekipit kombëtar të Serbisë’, të cilët në ndeshjen kundër Brazilit në zhveshtore kishin të vendosur një flamur me hartë të Kosovës me ngjyrat e flamurit serb me mbishkrimin ‘Nuk ka dorëzim’.

Kupa e Botës e cila ka kapur vëmendjen e gjithsecilit, është bërë pjesë e një loje politike e shumë kombëtareve, të cilat mesazhet e tyre po i përcjellin në fushë dhe jashtë saj.

Brazili e mposhti Serbinë me rezultat 2:0 me golat e Richarlison, në një ndeshje të dominuar nga brazilianët.

Flamujt me hartën e Kosovës dhe ngjyrat e flamurit serb u panë edhe në tribuna dhe jashtë stadiumit, por që bartja e atyre simboleve edhe në dhomat e zhveshjes është në kundërshtim me rregullat e FIFA-s.

Shtëpia e Futbollit Botëror, FIFA, ende nuk ka reaguar, ndonëse ky veprim bie ndesh me politikat e lojës së bukur të futbollit.

Njoftimi i plotë i FFK-së:

FFK paraqet ankesë në FIFA për veprimin agresiv të ekipit të Serbisë në Botërorin “Katari 2022”

25 nëntor, 2022 – Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se gjatë ditës së sotme ka paraqitur ankesë në FIFA për veprimin agresiv të ekipit kombëtar të Serbisë, i cili në ndeshjen kundër Brazilit, në kuadër të Kupës së Botës “Katar 2022” ka vazhduar me retorikën shoviniste ndaj Republikës së Kosovës. Para kësaj ndeshjeje, në zhveshtoren e kombëtares së Serbisë është vendosur një flamur, ku shihej harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb, me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.

Akte të tilla të shoviniste nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror, prandaj FFK si anëtare e barabartë me të gjitha anëtaret e tjera të FIFA-s, kërkon nga ky institucion që të ndërmarrë masa sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore.

Futbolli si sporti më i popullarizuar në botë përçon vlera bashkimi dhe assesi përçarjeje, ndërsa ky akt agresiv nuk përkon me vlerat e tilla, prandaj edhe duhet të ndëshkohet.

Derisa Evropa e bota po ballafaqohen me një krizë të madhe si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, një kompeticion kaq madhështor siç është Kampionati botëror, duhet të jetë vend i mbizotërimit të thirrjeve për paqe, e jo të përdoret për të nxitur urrejte mes popujve.

Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, me respektim maksimal të të drejtave të njeriut dhe i pranuar nga shtetet më të fuqishme botërore dhe si e tillë do ta vazhdojë rrugëtimin e saj, pa marrë parasysh provokimet si ky i fundit.

Mirëpo, është e papranueshme që ky akt të kalojë në heshtje, prandaj kërkojmë fuqishëm që FIFA të zbatojë në përpikëri rregullat e saj dhe të ndëshkojë Federatën e Futbollit të Serbisë për këtë veprim agresiv dhe kundër vlerave që i përçon futbolli.

Kujtojmë se në Botërorin e kaluar në Rusi, kur u përballen Zvicra dhe Serbia, dy futbollistët kosovarë, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, festuan me shqiponjë që më pas u dënuan me gjobë dhe iu ndalua që ta bënin sërish.

Lajme të ngjashme