KATAR 2022 | Australia ngadhënjen ndaj Tunizisë, rrit shpresat për kualifikim - NACIONALE

KATAR 2022 | Australia ngadhënjen ndaj Tunizisë, rrit shpresat për kualifikim

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Australia shënoi një fitore të çmuar në Botëror kundër Tunizisë duke e mposhtur me rezultat 1:0. Me këtë fitore australianët rritën ndjeshëm shpresat për një kualifikim në fazën e eliminimit direkt.

Një gol i shënuar në pjesën e parë i mjaftoi Australisë që të arkëtojë tre pikë të arta. Kjo ndeshje arsyetoi pritjet, pasi të gjithë indikatorët shpinin në një lojë të ekuilibruar, ashtu edhe siç rezultoi në fund.

Qasja më sulmuese në pjesë të parë i solli frytet e veta për kombëtaren e drejtuar nga përzgjedhësi Arnold. Në minutat e para të lojës Tunizia qëndroi në gjysmëfushën e saj.

Kështu, Australia me një harkim që pësoi pak edhe devijim, arriti që në minutën e 23-të ta tundte portën e kombëtares afrikane.

Harkimi i Goodwin gjeti të lirë në zonë Duke. Ndonëse i gjendur në një pozitë jo shumë të përshtatshëm për të goditur me efikasitet në portë, sulmuesi 31-vjeç ia doli që ta bëjë një gjë të tillë, duke përfunduar topin në rrjetë.

Reagimi i Tunizisë mungoi deri në çastet e fundit të pjesës së parë. Në minutën e 41-të ishte Drager që në formë instiktive goditi brenda 16-metërshit, por mbrojtja australiane arriti që ta devijojë në rivënie këndore goditjen në fjalë.

Ndërsa rasti më i mirë në pjesën e parë për kombëtaren afrikane erdhi në minutën 45+3’. Msakni me një goditje të befasishme iu afrua golit. Për fatin e tij të keq goditja përfundoi fare jashtë shtyllës së djathtë pingule.

Në pjesën e dytë Tunizia hyri më e vendosur në fushë, duke bërë çmos që ta rikthente lojën në baraspeshë, por hasi në një mbrojtje shumë mirë të organizuar të Australisë.

Kombëtarja australiane u tërhoq mbrapa për ta administruar kapitalin prej një goli që e kishte krijuar në minutën e 23-të me Duke.

Hera-herë me anë të disa kundërsulmeve të shpejta australianët ia dilnin që të ishin të rrezikshëm për portën e Dahmen.

Gjithsesi, deri në fund të ndeshjes Australia arriti që ta ruajë portën e saj të paprekur, duke bërë kështu të mundur arkëtimin e tre pikëve.

Me këtë fitore Australia shkon në kuotën e tre pikëve në grup duke u pozicionuar momentalisht në vendin e dytë, në pritje të ndeshjes tjetër që do të zhvillohet mes Francës dhe Danimarkë sot me fillim në ora 17:00.

Ndërsa Tunizia ngelet me një pikë në vendin e fundit në Grupin D. Në ndeshjen e parë ata kishin arritur të arkëtonin barazim ndaj Danimarkës në mënyrë paksa befasuese.

Ndeshjen e fundit në grup dhe “finalen” në vete Australia do ta luajë më 30 nëntor, kur do të ndeshet ndaj Danimarkës, në një sfidë ku do të vendoset gjithçka rreth asaj se cila kombëtarje do të vazhdojë tutje në fazën e eliminimit direkt.

Ndërkaq për Tunizinë gjërat vështirësohen, pasi ndeshjen e fundit do ta luajë me kampionin në fuqi, Francën, gjithmonë në po të njëjtën ditë. Tunizia duhet të shpresojë në një mrekulli për t’u kualifikuar.

Përmbledhja e ndeshjes Tunizi - Australi:

Lajme të ngjashme