KATAR 2022 | "Ai mund të luajë deri në moshën 50-vjeçare", Martinez kërkon nga Messi t'i drejtojë edhe në Kupën e Botës 2026
Portieri Emiliano Martinez ka kërkuar nga kapiteni Lionel Messi që t'i drejtojë deri në Kupën e Botës 2026, pavarësisht që ylli konfirmoi se sfida e të dielës do të jetë e fundit për të në këtë turne.
35-vjeçari ka pasur rol kyç në këtë sukses të Argjentinës, duke arritur deri në finale, ku do të përballen me Francën.
Ylli i PSG-së ka shënuar pesë gola deri me tani në këtë turne, duke përfshirë një penallti në fitoren 3:0 ndaj Kroacisë në gjysmëfinale.
Messi së fundmi ka konfirmuar se kjo finale do të jetë e fundit për të në Kupën e Botës dhe do të mundohet ta mbyll me trofe.
Por, Martinez ka kërkuar nga kapiteni që të vazhdojë të luajë edhe në kampionatin botëror të radhës.
"Për mua, ai mund të luajë deri në moshën 50-vjeçare. Ai duket në formë dhe shumë mirë".
"I bën gjërat të duken shumë lehtë, që është shumë vështirë të bëhet. Ta kuptosh sa mirë e godet topin është diçka".
"Ai e vendos topin aty, të shikon ty dhe e godet topin në korner të rrjetës, nëse dështon e godet traversën".
"Ajo këmbë e majtë. Është i vogël, por shumë i fortë".
Përpos tij, edhe bashkëlojtari Cristian Romero insistoi se shpreson që të mos jetë Kupa e Botës e fundit për shtatë herë fituesin e Topit të Artë.
"Shpresoj që kjo nuk është Kupa e Botës e fundit për të. Ky problem gjithnjë vjen dhe ne themi që t'i kërkojmë të mos largohet".
"Na bënë shumë të lumtur që e kemi partner dhe luan me ne", përfundoi ai.
Ndërkohë, Argjentina të dielën me fillim nga ora 16:00 do ta zhvillojë përballjen ndaj Francës.
Kujtojmë, trofeu i Kupës së Botës është i vetmi që i mungon argjentinasit në ‘dollap’.