Karim Benzema diskuton me Cristiano Ronaldon për kampionatin arab, i gatshëm ta pranojë ofertën e Al-Ittihadit
Sulmuesi Karim Benzema është i gatshëm t'i thotë po skuadrës arabe Al-Ittihad, se paku kështu raporton mediumi spanjoll "AS".
Francezi pritet ta pranojë ofertën dyvjeçare, ku do të fitojë mbi 100 milionë euro për vit.
Futbollisti ende s'e ka njoftuar gjigantin madrilen mirëpo "AS" raporton se ka diskutuar me ish bashkëlojtarin Cristiano Ronaldo lidhur me kampionatin arab dhe jetën në Arabinë Saudite.
Edhe pse kishte marrëveshje verbale për rinovimin me Realin, Benzema është pranë të largohet si agjent i lirë duke lërë klubin pas 14 viteve ku ka zhvilluar 647 ndeshje, duke shënuar 335 gola dhe kontribuar me 165 asistime.
Në ditët në vijim Benzema pritet ta bëjë të ditur të ardhmen pasi do ta njoftojë edhe Real Madridin, me presidentin Florentino Perez që në orët e fundit i ka thënë ta rikonsiderojë ofertën e klubit.
Real Madrid dhe francezi kishin gjetur gjuhën e përbashkët muajt e kaluar për të vazhduar edhe për një vit, mirëpo që mungoi vetëm nënshkrimi.
Real Madrid dëshironte që Benzema të qëndrojë edhe për një vit ku pastaj mund ta zëvendësonin me Kylian Mbappe ose Erling Haaland, të dy pritet të jenë në shënjestrën e klubit spanjoll gjatë vitit 2024.
Mbappe do të jetë agjent i lirë nëse s’rinovon me PSG-në derisa Haaland do ta ketë një klauzolë lirimi në vlerën e 200 milionë eurove.
Përndryshe, Reali nuk pritet të transferojë ndonjë sulmues në afatin e verës përpos Joselus së Espanyolit.