Juventusi triumfon në udhëtim te Atalanta, zonja e vjetër rrëmben pozitën e dytë në Serie A
Ndonëse me shumë vështirësi, Juventusi ka arritur deri te fitorja ndaj Atalantës me rezultat 2:0, me të dy golat e shënuar në pjesën e dytë, për tri pikë shumë të rëndësishme, që zonjën e vjetër e çojnë në vendin e dytë në Serie A.
Pasi u kthyen te fitoret në mesjavë duke mposhtur Leccen, tani skuadra e Max Allegrit ka fituar tre pikë shumë të rëndësishme në udhëtim, në garën e ngushtë që po bëhet në kampionatin italian për pozitat dy, tre dhe katër.
Zonja e vjetër e tregoi mjaftë qartë se kishte udhëtuar për pikë të plota, duke krijuar raste më shumë gjatë ndeshjes, me vetëm një të krijuar nga vendasit, ndonëse skuadra nga Bergamo kishte posedimin në të mirë të tyre.
Pjesa e parë e takimit ishte tejet monotone, me dy skuadrat që nuk arritën të dërgonin as edhe një goditje në drejtim të portave.
Teksa në 45 minutat e dyta pati lojë më të mirë, më të shpejtë dhe me disa raste të rrezikshme, ku edhe erdhën golat e fitores për Juventusin.
Zhvillohej minuta e 56-të, kur Adrien Rabiot depërtoi në zonë dhe harkoi ulët për Milik që dështoi të shënonte nga afërsia dhe nga topi i kthyer realizoi sulmuesi anglez i talentuar, Samuel Iling Junior për 1:0.
Ndërsa për epilogun final shënoi sulmuesi serb, Dusan Vlahovic në minutat shtesë, pas asistimit të Federico Chiesas, për 2:0.
Juventusi me këtë fitore, tani pozicionohet në vendin e dytë me 66 pikë pas 34 ndeshjeve, dy më shumë se Lazio e vendit të tretë dhe tre më shumë se Interi i vendit të katërt.
