Juventusi me shumë vështirësi e mposht Leccen, zonja e vjetër rrëmben pozitën e dytë
Juventusi ka shënuar fitore shumë të rëndësishme, ndonëse të vështirë ndaj Lecces me rezultat 2:1, kështu duke rrëmbyer pozitën e dytë në Serie A përkohësisht, me Lazion që zhvillon ndeshjen me fillim nga ora 21:00 ndaj Sassuolos.
Skuadra e Max Allegrit në muajin prill nuk kaloi edhe aq mirë, ku vetëm në pesë ndeshjet e fundit kanë pësuar tri humbje dhe barazuar në dy, teksa maji tashmë ka filluar mirë.
Zonja e vjetër kaloi në epërsi në minutën e 15-të kur Leandro Paredes shënoi gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë për 1:0.
11 minuta më pas Fabio Miretti shënoi, por goli i tij u anulua për pozitë jashtë loje nga VAR.
Lecce arriti të kthehej në lojë, kur Assan Ceesay shënoi nga penalltia, pasi Danilo paraprakisht preku topin me dorë në zonën e rrezikshme.
Por gëzimi te mysafirët nuk zgjati shumë, pasi sulmuesi serb i Juventusit, Dusan Vlahovic, në minutën e 40-të shënoi gol të bukur për ta çuar rezultatin në 2:1, me të cilin rezultat u mbyll pjesa e parë.
Pjesa e dytë e takimit ishte më monotone, me Leccen që kishte diç më shumë nga ndeshja, por që asnjë gol nuk u shënua, kështu Juventusi iu gëzuar tre pikëve të plota.
Me 33 ndeshje të zhvilluar, zonja e vjetër ka 63 pikë në vendin e dytë, dy më shumë se Lazio që ka një ndeshje më pak dhe pesë më shumë se Atalanta e vendit të katërt.
