Juventus në telashe, asnjë ankesë nuk do të mund t’ia zbusë dënimin prej -15 pikëve në tabelë
Mbrëmë Tribunali Sportiv Italian që operon në kuadër të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) mori një aktvendim shokues, duke dënuar me -15 pikë Juventusit në renditjen tabelore. Asnjë shkallë ankese nuk do t’i kryejë punë “Zonjës së Vjetër”.
Pas goditjes së rëndë që mori mbrëmë për shkak të mashtrimit me deklarimin e bilanceve vjetore dhe transferimeve të dyshimta që kishte bërë në vitet e fundit, Juventus i ka edhe dy shkallë ankimimi që mund t’i përdorë, por vetëm dënimi me -15 pikë nuk parashihet që të zbutët.
Sipas burimeve të gazetës më të madhe sportive italiane, “La Gazzetta Dello Sport”, pas tridhjetë (30) ditësh Juventus mund ta paraqesë ankesën e parë ndaj aktvendimit të mbrëmshëm.
Për ta bërë këtë gjë, duhet të presë fillimisht që të publikohet i gjithë vendimi, i përpiluar me të gjitha arsyetimet e gjyqësorit sportiv italian, që kanë shtyrë që të merret një dënim i tillë.

Gjithë çfarë mund të nxjerrë Juventusi nga ankesat që do t’i paraqesë është që të vërtetojë nëse i janë shkelur të drejtat e mbrojtjes.
Kujtojmë se gjatë ditës dje Prokuroria kërkoi që klubi torinez të dënohej me -9 pikë penalizim në renditje tabelore. Mirëpo, pasi u dëgjuan të gjitha dëshmitë dhe pasi u shqyrtua e gjithë lënda, gjykatësit vendosën që ky dënim të ishte akoma më i ashpër. Pra, prej -15 pikëve.
Juventus me anë të kësaj goditje sheh vetën teksa i është komprometuar shumë sezoni aktual, meqë do të dalë jashtë objektivave të vet.
Ndërkaq të gjitha klubet tjera që dyshoheshin se kishin bërë mashtrime u shpallën të pafajshme. Vetëm “Zonja e Vjetër” u shpall fajtore. Drejtori sportiv i saj, si dhe ish-Këshilli Drejtues i klubit – u dënuan veç e veç gjithësecili me një periudhë kohore të mos-ushtrimit të asnjë funksioni zyrtar në futboll në nivel vendi: nga dy vjet e gjysmë në 8 muaj pezullim.
