Juventus në "frymën e fundit" triumfon ndaj Frosinones
Juventus me shumë mund ka arritur t'i fitojë pikët e plota në shtëpi ndaj Frosinones, në kuadër të xhiros së 26-të në Serie A.
Pavarësisht që “Bianconerët” ishin shumë më të mirë, arkëtuan tre pikë krejtësisht në fund përmes Daniele Ruganit që bëri "heroin", me epilogun përfundimtar që rezultoi të jetë 3:2.
Juventus e nisi për mrekulli, duke kaluar në epërsi përmes Dusan Vlahovic që realizoi pas asistimit të Weston McKennie.
Megjithatë, nëntë minuta më vonë, Frosinone me një kundërsulm e barazoi rezultatin, ku Waild Cheddira shënoi me kokë pas harkimit të mrekullueshëm nga Nadir Zortea (14’).
Mysafirët s’u ndalën më kaq duke e përmbysur epërsinë me Marco Brescianini, që realizoi nga distanca (27’).
Juventus u këndell sërish, duke barazuar prapë me Vlahovic që mori një tjetër asistim nga McKennie (32’).
Pjesa e dytë ishte shumë më e qetë, ku dy skuadrat kishin raste shënimi por larg finalizimit.
Kur pritej që rezultati përfundimtar të ishte 2:2, në skenë doli Rugani që përfitoi nga një harkim për ta vulosur çështjen e fituesit (90+6').
Juve tani renditet në pozitën e dytë me 57 pikë, gjashtë më pak se Inter që ka dy ndeshje më pak të zhvilluara derisa Frosinone zë vendin e 15-të me 23 sosh.