Juventus fiton me rezultat të pastër, Napoli dëshpëron duke u ndalur me barazim nga Lecce - NACIONALE

Juventus fiton me rezultat të pastër, Napoli dëshpëron duke u ndalur me barazim nga Lecce

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Juventus ka arritur sigurojë një fitore mjaft me vlerë prej 2:0, duke mposhtur Spezian në "Allianz Stadium".

Sigurisht, loja e bukur akoma mungon dhe është kritika më e vazhdueshme që i bëhet Allegrit. Një lojë me ritëm jo të kënaqshëm u karakterizua edhe sot nga Juventus.

Gjithsesi, për t'i dhënë kuptim mbrëmjes së sotme u përkujdes sulmuesi Dusan Vlahovic, i cili shënoi një gol të bukur në minutën e 9-të të takimit nga ekzekutimi i goditjes së lirë prej rreth 20 metrave. Ai përsëriti vetëm, pasi para pak ditësh kundër Romës kishte shënuar nga distanca e njëjtë, me trajektore të njëjtë.

Në vazhdim të pjesës së parë nuk është se u vërejt ndonjë aksion i mirëfilltë që u ndërtua nga Juventus apo skuadra mysafire. E vetmja gjë që bëri bujë ishte lëndimi i portierit Szczesny, i cili u zëvendësua në minutën e 43-të nga Perin.

Vlen të cekët që Di Maria u rikthye nga lëndimi, pasi u lëndua në sfidën e parë kampionale kundër Sassuolos, ku Juventus shënoi fitore 3:0 dhe argjentinasi pati shënuar gol në ndeshjen e parë në Serie A.

Fitoren në fund e vulosi transferimi më i ri, Arkadiusz Milik duke realizuar me një goditje fantastike pas një asistimi të Miretti (90+4').

Gjithsesi, me fitoren e sotme Juventus shkon në kuotën e 8 pikëve, duke zënë momentalisht pozitën e pestë në renditjen tabelare.

Napoli dëshpëron - ndalet nga Lecce

Kur të gjithë prisnin tri pikë të sigurta nga Napoli, fusha nuk e dha të njëjtin verdikt. Ndeshja doli më e ndërlikuar sesa shumëkush mendonte.

Spalletti la në bankë rezervë gjashtë titullarë, pasi e presin dy ndeshje të vështira në harkun një javor, ku do të përballet ndaj Lazios dhe Liverpoolit. Nga kjo rrokadë pësoi edhe kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Rrahmani, i cili u la në stol.

Gjërat filluan të koklaviteshin që në minutën e 25-të, kur Lecce përmes Colombos humbi një mundësi të artë për të shënuar golin e epërsisë, pasi gaboi nga pika e bardhë sulmuesi 20-vjeç italian.

Shtatë minuta më vonë fantazisti i Kombëtares së Maqedonisë Veriore, Elmas, shënoi për ta shkundur portën e ekipit puljez.

Megjithatë, gabimin e bërë disa minuta më herët, e korrigjoi në minutën e 31-të Colombo, i cili shënoi një gol drithërues nga distanca, duke lënë të shtangur portierin Meret.

Përkundër tryesnisë së vazhdueshme që ushtroi Napoli drejt portës kundërshtare, nuk ia doli që ta gjejë golin i cili do t'ia sjellte fitore e radhës në kampionat, duke regjistruar kësisoj barazimin e dytë më radhë.

Pas këtij rezultati vihen në pah të gjitha turbulencat në të cilat ka kaluar skuadrat gjatë këtyre dy muajve të afatit kalimtar, me largime të shumë veteranëve që sezone të tëra kanë bartur mbi supe përgjegjësi të mëdha.

Kësisoj, Napoli pas katër xhirove të luajtura pozicionohet i treti në tabelë me 8 pikë të tubuara, kurse Lecce me këtë rezultat shkon në kuotën prej 2 pikëve.

Lajme të ngjashme