JOSELUUUU bën heroin, Real Madrid me super përmbysje eliminon Bayern Munichun - NACIONALE

JOSELUUUU bën heroin, Real Madrid me super përmbysje eliminon Bayern Munichun

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Real Madrid e ka përsëritur atë që po bën zakonisht. Me një super përmbysje eliminoi Bayern Munichun për të arritur në finale të Ligës së Kampionëve.

I inkuadruari Joselu shënoi dygolësh për ta fituar përballjen me rezultat 2:1 ndaj “Bavarezzëve” dhe bashkuar Borussia Dortmundit në finale.

Pjesa e parë ishte shumë e barabartë, me dy skuadrat që kishin raste por që s’i konkretizuan.

Reali ishte skuadër më e mirë, duke pasur rastet më të rrezikshme por që iu mungoi finalizimi, derisa edhe Bayern tentoi por gjithashtu s’ia doli.

Ishte Alphonso Davies që i dha epërsinë Bayernit me një supergol pas një pasimi të Harry Kane (68’).

Reali shënoi vetëm tre minuta më vonë por që autogoli i Davies u anulua shkaku që Nacho kishte faulluar Kimichun (71’).

Sidoqoftë, Reali s’u dorëzua dhe i inkuadruari Joselu rezultoi të jetë heroi. Spanjolli shënoi dy herë në tre minuta për të përmbysur gjigantin gjerman.

Fillimisht, Joselu përfitoi nga një top i kthyer prej goditjes së Viniciusit, ku Neuer nuk arriti ta ndali për të shënuar nga afërsia dhe barazuar rezultatin (88’).

Kurse tre minuta më vonë, pas një asistimi të Antonio Rudiger, Joselu shënoi nga afërsia për të bërë heroin e natës.

Kësisoj, Real Madridi avancon në finalen e Ligës së Kampionëve – ku do të takohet me skuadrën tjetër gjermane Borussia Dortmund.

Lajme të ngjashme