Jose Mourinho konfirmon se refuzoi stolin e Portugalisë
Trajneri Jose Mourinho ka konfirmuar se refuzoi pozitën e përzgjedhësit të Portugalisë për të vazhduar me skuadrën italiane, Roma.
Federata portugeze largoi Santos pas eliminimit të Kupës së Botës, ku u befasuan nga Maroku në cerekfinale.
Pas disa javëve kërkim, Federata portugeze punësoi ish përzgjedhësin e Belgjikës, Roberto Martinez. Sidoqoftë, shënjestra kryesore për një kohë ishte Jose Mourinho.
Tekniku portugez tha se ndihet krenar që kishte këtë mundësi, por pastaj e refuzoi.
"Fakti që presidenti i FPF-së tha që nuk isha zgjedhja e parë, por e vetme më bën krenar. Por, vendosa të mos shkoj. Jam këtu dhe vetëm kjo ka rëndësi".
Roma edicionin e kaluar me Mourinhon përfundoi në pozitën e gjashtë, derisa këtë vit po mundohen të sigurojnë top katërshen që të garojnë sërish në Ligën e Kampionëve.
Sidoqoftë, shkaku i paraqitjeve të dobëta këtë edicion duke shënuar vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit ka ndikuar që të bien në pozitën e shtatë.
Një ndër pyetjet më të mëdha të përzgjedhësit të ri do të jetë e ardhmja e Cristiano Ronaldos. Santos e la yllin e Al Nassr në stol gjatë fazës së eliminimit direkt.
Martinez bëri me dije se do të diskutojë me Ronaldon, para se të merr ndonjë vendim përfundimtar.
"Lista e 26 lojtarëve të Kupës së Botës është pika ime e fillimit dhe Cristiano është lojtar në atë listë. Ai ka qenë me kombëtaren për 19 vite dhe meriton respektin që të ulemi dhe të diskutojmë".
"Nga aty është të krijojmë brenda 10 javëve skuadrën më të mirë për ndeshje, për kualifikueset e Kampionatit Evropian. Do të nisim të njohim të gjithë lojtarët dhe Cristiano është një ndër ta", deklaroi ai.
Portugalia është në një grup kualifikues me Bosnja Hercegovinën, Islandën, Luksemburgun, Sllovakinë dhe Litenshtajnin.