Jo vetëm që u eliminua, Man Utd vendosi edhe një rekord të “zi” në Ligën e Kampionëve
Manchester United kaloi një sezon për t’u harruar në Ligën e Kampionëve, pasi s’arriti të kualifikohet nga faza e grupeve.
Në fakt, “Djajtë e Kuq” dështuan ta sigurojnë qoftë pozitën e tretë që të dërgon në Ligën e Evropës, në një grup me Bayern Munichun, Copenhagen dhe Galatasarayn.
Skuadra angleze mori rezultate të dobëta, e tani ka vendosur edhe një rekord shumë të keq duke u bërë klubi i parë që pëson 15 gola në fazën e grupeve.
Kjo më së miri dëshmon nivelin e dobët të 20 herë kampionit të Anglisë në aspektin defansiv, ku të martën mbrëma u mposhtën me rezultat 0:1 nga Bayern Munich.
Kingslay Coman e bëri ndryshimin me një gol nga afërsia, gol ky që e dërgoi Unitedin direkt e në shtëpi.
Tani, mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndryshime te klubi anglez qoftë te trajneri apo ndonjë përforcim i mundshëm në afatin e janarit, pasi iu duhet një punë e madhe për ta siguruar “top katërshen” për sezonin tjetër.