Jeta luksoze që e pret Ronaldon në Arabi: Do të jetonte në pallat 14 milionë eurosh
Ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, ende nuk është bërë me skuadër të re, që nga ndarja me Manchester Unitedin, por ai dhe familja e tij kanë në dorë një ofertë nga Arabia Saudite e cila është vështirë të refuzohet, ku njëra nga të mirat që do të përfitonte, është jeta në një pallat luksoz në vlerë prej 14 milionë euro.
37-vjeçari gjendet në perëndim të karrierës, ndërsa sundimtarët e Mbretërisë së shkretëtirës mezi presin të sigurojnë shërbimet e tij, në mënyrë që Arabia Saudite të jetë më tërheqëse në të ardhmen, ngase dihet se çfarë ndikimi ka Ronaldo.
Po raportohet vazhdimisht se sulmuesi veteran është në prag të nënshkrimit me klubin kryesor të Arabisë Saudite, Al Nassr, në një marrëveshje që do t’i sigurojë atij rreth 200 milionë euro në vit.

Ky veprim do ta shohë Ronaldon të bëhet një ambasador për ofertën e Arabisë Saudite për të organizuar Kupën e Botës 2030, duke ndjekur hapat e David Beckham, i cili promovoi në çdo mundësi Botërorin e Katari, që u përmbyll më 18 dhjetor të këtij viti.
Ronaldo me pesë fëmijët dhe partnerja e tij, Georgina Rodriguez, pritet të jetojnë si në çdo vend ku ka luajtur ylli portugez, në komplekse apo pallate, por kësaj radhe nën ligjet e rrepta islame të vendit konservator.

Al Nassr e ka pasur në shënjestër pesë herë fituesin e Topit të Artë, që nga ndërprerja e marrëveshjes me Manchester Unitedin, pas një interviste me gazetarin Piers Morgan, që shkaktoi shumë polemika më pas.
Qyteti ku pritet të jetojë Ronaldo nëse kalon në Arabi Saudite, është Riadi, një nga vendet më konservatore, teksa në verë mbizotëron i nxehti i papërballueshëm, deri në 50 gradë celsius.
Nëse lëvizja e tij vazhdon, Ronaldo dhe familja e tij ka të ngjarë të jetojnë në një nga lagjet prestigjioze të qytetit, si Al Muhammadiyah, i cili njihet për restorantet e tij të nivelit të lartë ose Al Nakheel, i cili është i popullarizuar për shkak të shkollave ndërkombëtare.

Të dyja zonat janë afër stadiumit 25,000 vendesh të Al Nassr në Mrsool Park, i njohur më parë si Stadiumi i Universitetit të Mbretit Saudit, dhe mburren me një numër të madh kompleksesh me porta të nivelit të lartë, të ndërtuara për banorët perëndimorë.

Pronat aktualisht në shitje në Riad përfshijnë një pallat me tetë dhoma gjumi me një çmim prej 55 milionë rial saudit ( 14 milionë euro) i cili përfshin një pishinë me përmasa olimpike dhe një dhomë pritjeje me karakteristika ujëvare dhe tre vila shtesë në mjediset e saj, dhe kjo pronë besohet se do të jetë për Cristiano Ronaldon me familje, nëse kontrata me klubin Al Nassr finalizohet.

