Jepet drita jeshile - Kombëtarja e Rumanisë pranon të luajë ndaj Kosovës
Rumania ka vendosur të pranojë të luajë ndaj Kosovës në kualifikimet e rregullta për Euro 2024. Pas disa ditësh shumë zhurmë, Federata e Futbollit të Rumanisë ka marrë këtë dritë jeshile sot nga Qeveria e vendit të vet.
Fakti se Rumania është pjesë e pesëshes së vendeve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës është gjë e ditur. Pas hedhjes së shortit për kualifikimet e rregullta të Euro 2024, Rumania përfundoi në të njëjtin grup me Kosovën.
Këtu lindën shumë dilema në shtetin rumun nëse kombëtarja e tyre do të duhej të pranonte për të luajtur ndaj Kosovës, meqë nuk e pranon si shtet.
Për t’i dhënë fund të gjitha këtyre zërave është përkujdesur vetë Ministria e Punëve të Jashtme të Rumanisë, e cila e ka urdhëruar Federatën e Futbollit të vendit të saj që të luajë pa ndonjë ngurrim në ndeshjet ndaj Kosovës.
Aprovimi ka ardhur gjatë ditës së sotme. Me këtë marrin fund të gjitha skenarët që u ngritën gjatë ditëve të fundit, nëse Kosova do të fitonte në tavolinë apo nëse Rumania do të përjashtohej nga UEFA në rast se nuk pranon të luajë ndaj ekipit kombëtar "dardan". Lajmi bëhet i ditur nga agjencia rumune e lajmeve "GSP".
Në shkresën e saj, Ministria e Punëve të Jashtme të Rumanisë ka sqaruar se pjesëmarrja në kompeticione sportive, qofshin ato në sporte individuale apo ekipore, së bashku me përfaqësuesit e Kosovës – nuk implikon dhe nuk mund të ketë efekt në njohjen e statusit dhe sovranitetit të Kosovës si shtet.

Për shkak të deklaratave të disa ish-funksionarëve politikë rumunë në lidhje me nevojën që të gjendej një zgjidhje kreative për të mos lejuar që kombëtarja rumune të ndeshet ndaj Kosovës – nga zyra e Federatës në Bukuresht nuk kishte një linjë të prerë për dy javë të tëra se çfarë vendimi do ta merrnin.
Pasi u sqarua kjo situatë tani, gjithçka çfarë mbetet tani është rikthimi te futbolli i luajtur. Kosova dhe Rumania do të luajnë ndaj njëra-tjetrës në vitin e ardhshëm.
Ndeshja e parë mes këtyre dy kombëtareve do të luhet në “Fadil Vokrri” më 16 qershor 2023, kurse ajo e kthimit në Bukuresht më 12 shtator 2023.
Kujtojmë se Grupi I përbëhet nga Zvicra, Rumania, Izraeli, Kosova, Bjellorusia dhe Andorra. Alain Giresse do të duhet ta përgatitë skuadrën për dhjetë ndeshje që e presin në intervalin kohor prej tetë muajsh, gjegjësisht nga marsi deri në nëntor.

Çfarë kishte thënë UEFA për Nacionalen në lidhje me mundësinë që Rumania të mos luante ndaj Kosovës?
E pyetur nga Gazeta Nacionale nëse Rumania mund të përballet me ndonjë ndëshkim më të rëndë nëse nuk pranon të luajë ndeshjen kualifikuese me Kosovën, UEFA konfirmoi se ajo mund të diskualifikohet nga eliminatoret në bazë të nenit 30 të Rregullores së shtëpisë së futbollit evropian.
“Neni 30 i rregullores së garës e bën të qartë këtë”, tha UEFA për Nacionale.
Neni 30 i rregullores së garave i UEFA-s thekson: “Nëse një Federatë refuzon të luajë apo është përgjegjëse për mos zhvillimin e një ndeshjeje apo mos zhvillimin e saj plotësisht, atëherë Komiteti i UEFA-s për Etikë, Kontroll dhe Disiplinë mund të ndërmarrë masa shtesë disiplinore të cilat vlerësohen si të përshtatshme për federatën në fjalë, përfshirë diskualifikimin nga gara."
Kosova e kishte një telash pak a shumë të ngjashëm edhe me Moldavinë në sezonin 2020/21 të Ligës së Kombeve, e cila nuk kishte pranuar ta mirëpriste Kosovën në vendin e vet, duke e organizuar përballjen si mysafire në Itali.
Megjithatë, Moldavia u detyrua të vijë në Prishtinë për t’u përballur me Kosovën në ndeshjen e dardanëve si vendas.
Në vitin 2019, UEFA e miratoi një rregullore të veçantë për Kosovën dhe shtetet që nuk e njohin atë, pa përfshirë Serbinë dhe Bosnjën me të cilat nuk mund të përballet, e cila i detyron ato vijnë në Prishtinë për ndeshjet si mysafire.

