Janarin e kaluar refuzuan 800 mijë euro, prapaskenat mbi shitjen e Dellovës te Sofia për 350 mijë euro
Kampioni i Kosovës Ballkani e ka shitur për 350 mijë euro mbrojtësin Lumbardh Dellova te gjiganti bullgar CSKA Sofia, pavarësisht që afatin e kaluar të dimrit refuzuan ofertën prej 800 mijë eurove, pra në muajin janar.
Edhe pse ka luajtur rol kyç në suksesin e “Xhebrailave” që fituan për herë të tretë titullin kampion në Kosovë, Dellova ka kërkuar largimin duke refuzuar edhe të dalë në stërvitje, kështu së paku u raportua në mediat lokale.
Sipas të përditshmes “Transferfeed”, shitja e 25-vjeçarit te skuadra bullgare kushtoi 350 mijë euro, ndërsa Ballkani e ka vendosur edhe kartonin 10 përqindësh në shitjen e radhës.
Rol në këtë aspekt ka luajtur edhe kontrata e Dellovës, ngase do t’i skadonte pas gjashtë muajve, pra pak a shumë e njëjta situatë siç ndodhi me shitjen e Ermal Krasniqit te Cluji.
Gazeta Nacionale me burime merr vesh që skuadra amerikane New York City në afatin dimëror ofroi plot 800 mijë euro për shërbimet e 25-vjeçarit, por u refuzua shkaku që Ballkani po garonte atë kohë për titullin kampion.
“Ballkani dhe Dellova kanë refuzuar në janar ofertë prej 800 mijë eurove sepse arritja e objektivave të klubit atë kohë ishte vështirë për t’u arritur nëse i largonim lojtarët”, tha një burim për Nacionalen në kushte anonimiteti.
Ndërkohë, pavarësisht që Sofia nuk njoftoi, Dellova ka nënshkruar kontratë për tre vitet në vijim, që do ta mbajë aty së paku deri më 2027.
Sezonin e kaluar Dellova ishte i padiskutueshëm në formacionin bazë, duke zhvilluar 50 paraqitje duke shënuar tre gola dhe dhuruar dy asistime në proces.