Jamie Carragher dhe Rio Ferdinand fjalosen rëndë në Twitter për Cristiano Ronaldon
Jamie Carragher dhe Rio Ferdinand janë fjalosur madje duke e fyer njëri-tjetrin në rrjetin social Twitter për Cristiano Ronaldon.
Ish-mbrojtësi i Liverpoolit Carragher e mbrojti të hënën në mëngjes vendimin e trajnerit të Manchester Unitedit, Erik ten Hag, për të mos luajtur me Ronaldon në derbin e Mançesterit të dielën, duke i quajtur qesharak ata që menduan se trajneri gaboi.
Ferdinand – dikur bashkëlojtar i Carragherit te Anglia dhe ish-mbrojtës i Man Unitedit – reagoi duke e pyetur Carragherin nëse ende është i inatosur që Ronaldo nuk ia kishte zgjatur dorën së fundmi gjatë një transmetimi të Sky Sports në Old Trafford.
Carragher iu përgjigj Ferdinandit duke e quajtur tifoz të Ronaldos.
Ish-ylli i Liverpoolit kishte thënë se shpejtësia e Marcus Rashfordit në kundërsulme nënkupton se ai duhet të luajë para Ronaldos.
Ten Hag nuk e futi fare Ronaldon në lojë pas pushimit mes pjesëve në derbin e Mançesterit, kur City po fitonte 4:0, dhe u kritikua për këtë, veçanërisht nga Roy Keane që tha se Ronaldo ishte i duhuri në ato çaste.
Më herët këtë sezon, Brentfordi e kishte krijuar një epërsi të njëjtë prej 4:0 kundër Unitedit në pjesën e parë, në një ndeshje që Ronaldo ishte titullar.
“Ideja e ETH (Ten Hag) gaboi dje që nuk luajti me Ronaldon është qesharake! Ronaldo luajti në Brentford kur rezultati ishte 4:0 pas pjesës së parë! Nuk është thumbim ndaj CR (Ronaldos), por shpejtësia e Ronaldos në kundërsulme siç e pamë kundër Arsenalit dhe Liverpoolit ishte 100 për qind opsioni më i mirë”, pati shkruar Carragher.

Ferdinand iu përgjigj Carragherit duke e thumbuar për injorimin që ia kishte bërë Ronaldo atij.
“Carra, a ende je i inatosur që Ronaldo nuk ta zgjati dorën në Old Trafford? Gjëja më e vështirë në futboll është të shënosh gola”, shkroi Ferdinand.

U duk sikur Carragher u ndje i fyer nga ky koment, duke e akuzuar Ferdinandin që po i del në përkrahje Ronaldos.
“Rio, e di si është kjo punë, ai është shoku juaj dhe ju, Evra e të tjerët jeni në një grup në WhatsApp dhe ai (Ronaldo) ju kërkon ta mbroni në publik. Mos u bëj tifozi i tij, ti je Rio Ferdinand”, i reagoi Carragher Ferdinandit.


