Manchester Unitedi po e fyen rëndë Cristiano Ronaldon, thotë Keane - NACIONALE

Manchester Unitedi po e fyen rëndë Cristiano Ronaldon, thotë Keane

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Roy Keane ka thënë se Manchester Unitedi është duke e fyer Cristiano Ronaldon dhe ka paralajmëruar se gjërat do të bëhen edhe më të shëmtuara me kalimin e kohës.

Ronaldo u la ta ngrohte stolin në disfatën turpëruese 6:3 të Unitedit kundër Manchester City në Etihad Stadium të dielën në derbin e qytetit në Premierligë.

Pas ndeshjes, trajneri i Unitedit Erik ten Hag shpjegoi se vendosi të mos e fusë fare në lojë Ronaldon në shenjë respekti për karrierën e tij, pasi skuadra e tij po humbte 4:0 pas pjesës së parë.

Por Keane – një legjendë e djajve të kuq – e ka kritikuar trajnerin holandez dhe këmbënguli se Unitedi është dashur ta linte Ronaldon të largohej nga klubi gjatë verës.

“Mendoj se Manchester Unitedi po e fyen Ronaldon”, tha Keane për Sky Sports.

“Ronaldo është njëri ndër më të mëdhenjtë në histori, ai kishte opsione, kjo ideja se ai nuk kishte opsione është kot. Ai i kishte disa opsione, katër apo pesë opsione të mira.”

“Nëse flasim në përgjithësi, ky trajner nuk do të luajë me Ronaldon, ne e dimë këtë. Ronaldo ka luajtur vetëm në një apo dy ndeshje në Evropë, gjërat do të bëhen më të shëmtuara me kalimin e sezonit”, shpjegoi ai.

“Mendoj se Unitedi nuk ka bërë gjë tjetër pos e ka fyer Ronaldon, është dashur ta lejonte të largohej kur e pati mundësinë. Sot është dashur ta fuste në lojë atë. Çka nëse po humbte 4:0? Nëse e shikon rekordin e golave të tij, ai ka mundësi për të shënuar ma shumë se cilido lojtar tjetër”, vazhdoi ai.

“Lojtarët e mëdhenj duan të luajnë çdo javë. Ronaldo nuk u kthye në United për t’u ulur në stol në një ndeshje derbi”, përfundoi ai.

Lajme të ngjashme