"Jam tepër i lumtur, i jam mirënjohës Van Bommelit": Muja prononcohet pasi u shpall lojtari i ndeshjes
Ish-sulmuesi i Dritës dhe Trepçës ’89, Arbnor Muja, sot shënoi golin e dytë në kampionat, në fitoren që Antwerp si vendës korri 4:1 kundër Standard Liege. Falë kësaj paraqitje ai u shpall edhe futbollisti i ndeshjes për herë të parë.
Mitrovicasi, Arbnor Muja, është në një momentum të jashtëzakonshëm të formës së tij. Pauza si pasojë e zhvillimit të Kupës së Botës ka qenë frytdhënëse për të, pasi, menjëherë pas saj, ai është shfaqur një lojtar tjetër, me një vetëbesim dhe formë më superiore.
Sot, shënoi golin e dytë të ndeshjes për Antwerp në fitoren e thellë 4:1 kundër Standard Liege dhe njëherësh të dytin të tij në kampionat. Pas ndeshjes u shpreh i lumtur, meqë kjo paraqitje iu shpërblye edhe me çmimin e lojtarit të ndeshjes.
“Kjo është hera e parë që shpallem lojtari më i mirë në fushë. Jam mjaft i lumtur, por më befason paksa, sepse Janssen shënoi dy gola. Jam i lumtur që kam besimin e trajnerit dhe që mund të përfitoj nga të gjitha këto mundësi që m’i jep”, u shpreh ai.

24-vjeçari kishte disa pengesa nëpër të cilat hasi gjatë rrugëtimit të tij nga transferimi tek Antwerpi. Pa kaluar as dy javë nga transferimi në klubin belg, ai u lëndua, duke qëndruar për disa javë jashtë fushave të blerta. Ky lëndim ia ngadalësoi edhe ambientimin në skuadër. Këtë gjë e pranon edhe ai vetë.
“Megjithatë, më është dashur paksa kohë për t’u ambientuar kur kam ardhur në Antwerp, por tani jam i lumtur që luaj në çdo ndeshje”, deklaroi Muja.
Gjithashtu, vlen të cekët fakti që, sot, Arbnor Muja luajti ndeshjen e tij të pestë rresht si titullar. Ai e ka blinduar pozitën e sulmuesit të djathtë në formacionin e trajnerit dhe njëherësh ish-mesfushorit të spikatur holandez, Van Bommel.
