Ish-zëvendëssekretari i FFK-së: Hodaj dhe Ademi po i mashtrojnë klubet dhe janë fajtorë për moslicencimin e federatës - NACIONALE

Ish-zëvendëssekretari i FFK-së: Hodaj dhe Ademi po i mashtrojnë klubet dhe janë fajtorë për moslicencimin e federatës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-zëvendëssekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Arianit Ahmeti, i ka akuzuar ushtruesin e detyrës së sekretarit Taulant Hodajn dhe kreun e FFK-së, Agim Ademi, se po i mashtrojnë klubet e futbollit kryekëput për interesat e veta personale dhe për dështimin për ta licencuar federatën.

Federata e Futbollit, e udhëhequr nga Agim Ademi i vendosur në arrest shtëpiak nën dyshimin për shmangie tatimore dhe keqpërdorim të parasë së federatës, ka dështuar t’i plotësojë kushtet dhe kërkesat për licencim në Ministrinë e Sportit që nga vera e vitit të kaluar, raporton Nacionale.

Në një reagim në Facebook, Ahmeti i fajësoi krerët e FFK-së për këtë: “Klubet u mashtruan nga sekretari dhe kryetari i FFK-së, se pas Kuvendit të datës 27.01.2023 menjëherë do të licensohen, vetëm se duhet ta votojnë Statutin e ri.”

Ndër kërkesat e Komisionit Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive ka qenë që FFK-ja të ketë sekretar të përgjithshëm me kontratë permanente, jo ushtrues detyre.

Avokati Hodaj, i cili është pjesë e Odës së Avokatëve të Kosovës, është duke e ushtruar këtë rol si ushtrues detyre.

Taulant Hodaj t’iu tregoj klubeve a është avokat apo sekretar i FFK-së?! Taulant Hodaj së pari duhet të ju tregoj klubeve a është avokat apo sekretar i FFK-së?! Sipas ligjit te avokatisë nenin 10 dhe 39, të dy këto funksione nuk mundet t’i ushtrojë njëkohësisht një avokat,” nënvizoi ai.

“Prandaj, sekretari dhe avokati (edhe personal i A.Ademit)Taulant Hodaj për interesat e tij biznesore në vend se të merret me plotësimin e rekomandimeve të MKRS-së, ai me mos punën e tij si duket, veçse ua humbi klubeve paratë e sponsorizmit për vitin 2022 dhe tani po sulmon MKRS-në për të mbuluar dështimin e FFK-së, interesat dhe paaftësinë e tij, dhe të shefit të tij të arrestuar.”

Ahmeti iu bëri thirrje Ademit dhe Hodajt të japin dorëheqje në mënyrë që FFK-ja të mundë të licencohet, pasi i sheh ata si pengesë kryesore në këtë çështje.

Për shkak të dështimit të licensimit të FFK-së, Taulant Hodaj do të duhej më së paku të kërkoj falje, të lirojë pozitën bashkë me kryetarin e arrestuar të FFK-së Agim Ademin, të cilët janë bërë pengesa kyçe e futbollit të Kosovës. Për ambicie dhe interesa personale Ademi dhe Hodaj, kanë vendosur që ta thellojnë edhe më shumë krizën në FFK”, shtoi ai.

Policia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës janë duke i hetuar Ademin bashkë me disa zyrtarë të tjerë për korrupsion në shtëpinë e futbollit.

Përveç Ademit, në fund të marsit u morën në pyetje edhe katër zyrtarë të tjerë të FFK-së.

Krerët e FFK-së duke qenë nën llupen e organeve të hetuesisë për keqpërdorimet në FFK, kanë vendosur të hapin betejën dhe konfliktin me Komisionin për licencim të Federatave pranë MKRS.Sa më shpejt që klubet e kuptojnë se u mashtruan dhe u manipuluan për interesant të krerëve të FFK-së, aq më shpejtë do të vije licencimi i tyre”, këmbënguli ai.

Ademi dyshohet për dy vepra penale, “keqpërdorim të besimit” dhe “shmangie nga tatimi”.

Lajme të ngjashme