Vitia dhe Vllaznia: Manipuluesi Agim Ademi fajtor për moslicencimin e FFK-së dhe për humbjet financiare të klubeve
Dy klube, Vitia dhe Vllaznia, kanë kërkuar thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm të Federatës së Futbollit për ta zgjidhur çështjen e mungesës së licencës së federatës, duke e mbajtur përgjegjës, siç e quajtën ato, kryetarin manipulues të FFK-së, Agim Ademin.
Federata e Futbollit, e udhëhequr nga Agim Ademi i vendosur në arrest shtëpiak nën dyshimin për shmangie tatimore dhe keqpërdorim të parasë së federatës, ka dështuar t’i plotësojë kushtet dhe kërkesat për licencim tash e shumë muaj, raporton Nacionale.
Një nga pronarët e Llapit – klubit të afërt me Ademin – Tahir Batatina është duke bërë përpjekje t’i bindë klubet t’i bëjnë presion Ministrisë së Sportit për t’ia lëshuar licencën FFK-së përmes takimeve që shpesh po iu bojkotohen.
Vitia, që bën gara në Ligën e Dytë, dhe Vllaznia, që është një kategori më lartë, ishin pjesë e takimit të së hënës dhe e goditën federatën dhe Batatinën përmes një shkrimi të përbashkët në Facebook.
“Situatën në FFK mund ta zgjidhë vetëm Kuvendi i Jashtëzakonshëm. Avni Haxhiu & Tahir Batatina dhe delegatët e tjerë që u manipuluan nga krerët e FFK-së në Kuvendin e fundit, duke injoruan rekomandimet e MKRS dhe UA për licencim të Federatave Sportive, kanë sjellë shumë klube të futbollit buzë falimentimit”, thanë përfaqësuesit e këtyre dy klubeve.
Që nga dhjetori klubet nuk kanë mundur të përfitojnë nga ligji për sponsorizim, i cili i liron investitorët e klubit të përfitojnë nga zbritja prej 30% nga tatimi.
Humbjet parashihen të jenë rreth 3 milionë euro, ndërsa Vitia dhe Vllazniae mbajnë përgjegjës për këtë shefin e futbollit.
“Ne takim kemi qene sot për të parë se çfarë kanë për të thënë zyrtarët e FFK-së në veçanti sekretari Taulant Hodaj i cili bashkë me Agim Ademin janë përgjegjësit kryesorë për mos licencim të FFK-së dhe për humbjen e shkaktuar”, theksuan ata.
Çfarë po ndodh me licencimin dhe pse është kaq i rëndësishëm?
FFK-ja, lideri i së cilës Agim Ademi ndodhet në arrest shtëpiak, ka dështuar të licencohet deri më sot kryesisht për shkak të dështimit për t’i plotësuar kërkesat dhe për t’i bërë ndryshimet e nevojshme për licencim që ia ka kërkuar Ministria e Sportit.
Fakti se Ademi dyshohet për shmangie tatimore dhe keqpërdorim të parasë së federatës dhe mundësia për një aktakuzë të re ndaj tij, FFK-ja do ta ketë pothuajse të pamundur licencimin me të në krye.
Përveç FFK-së, edhe klubet e kanë pjesën e vet të plotësimit të dokumenteve dhe ofrimin e një pasqyre se si organizohet klubi dhe cilët janë udhëheqësit e tij.
Derisa FFK-ja nuk është e licencuar, asnjë klub i futbollit në vend nuk mund të përfitojë nga ligji për sponsorizim, i cili është tejet i rëndësishëm për mirëqenien financiare të tyre.
Që nga dhjetori klubet nuk kanë mundur të përfitojnë nga ky ligj, i cili i liron investitorët e klubit të përfitojnë nga zbritja prej 30% nga tatimi.