Ish-zëvendëssekretari i FFK-së: ‘Ortakët’ Hodaj dhe Ademi po pasurohen në kurriz të futbollit - NACIONALE

Ish-zëvendëssekretari i FFK-së: ‘Ortakët’ Hodaj dhe Ademi po pasurohen në kurriz të futbollit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish zëvendëssekretari i FFK-së, Arianit Ahmeti thotë kryetari Agim Ademi dhe sekretari Taulant Hodaj janë bërë dy ortakë që po pasurohen në kurriz të futbollit.

Sipas tij, Ademi i ka dhënë zyre në objektin e tij "Prishtina Stairs" kompanisë së Hodajt, ku të dy mund të jenë më afër njëri-tjetrit në Veternik.

Përpos kësaj Ahmeti shton se kompania “Hodaj & Patners” ka kontratë me FFK-në, ku sekretari do ta luajë rolin e avokatit për ta mbrojtur Agim Ademin nëpër gjykata, prokurori dhe polici.

Postimi i plotë pa ndërhyrje:

“Kumbaria e Ademit me Hodaj - në kurriz të futbollit pasurohen dy persona, ndërsa klubet buzë gremines!

Në një komunikatë përmes faqes zyrtare të zyrës së kompanisë së Taulant Hodaj (avokat dhe Sekretar i FFK-së) “Hodaj & Partners”, njoftohet opinioni dhe klientët se kompania ka ndërruar zyret dhe tani e tutje ata do të jenë në lagjen Veternik - objekti Prishtina Stars.

Në kushte normale ky do të ishte një njoftim fare normal, por në media del se pronari i këtij objekti është Agim Ademi!

Siç duket, dy zyrtarët e FFK-së - Kryetari dhe Sekretari, janë kujdesur së pari t’i sigurojnë kontratë kompanisë “Hodaj & Partners” me FFK-në, pastaj ta angazhoj të njejtën për përfaqësim nëpër Gjykata, Prokurori, Polici e organe të tjera për vet kryetarin.

Pas kësaj, kryetari krijon mundësinë ta shpërblej avokatin e tij personal me postin e Sekretarit (pozitë të cilën e ushtron vetëm kur ka kohe të lirë), dhe tani njëri me tjetrin merren vesh që edhe lokalet afariste t’i japin për zhvillimin e aktivitetit të kompanisë “Hodaj & Partners”.

Kjo mardhënie kaq e afërt, dhe dashni kaq e madhe, në shikim të parë duket sikur të jenë “partner apo ndonjë lloj ortakërie” e njërit me tjetrin!

Tani opinioni sportiv dhe futbolldashësit e kanë fare të lehtë të vlersojnë dhe konstatojnë se pse punët brenda FFK-së, kanë aq shumë probleme të pazgjidhura, humbje financiare të klubeve, rënie të imazhit të FFK-së, humbjen e besimit në opinion, e shumë dëme të tjera.

Kjo është fare e lehtë të konstatohet, këta dy të apostrofuarit më lartë, si duket nuk e kanë fare vëmendjen tek anëtarësia dhe Klubet e FFK-së, por siç duket me fakte që vet ata i prezantojnë, ata gjatë gjithë kohës kujdesen për vete dhe interesat e tyre financiare.

Kësaj në vende normale nuk ke më çka t’i shtosh, përveç emrit “ORTAKËRI”.”, shkroi Ahmeti.

Lajme të ngjashme