Ish-sulmuesi rumun: Krasniqi do të jetë transferimi më i mirë në histori të Clujit - NACIONALE

Ish-sulmuesi rumun: Krasniqi do të jetë transferimi më i mirë në histori të Clujit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-sulmuesi rumun, Robert Nita, në një prononcim për mediet e vendit të tij lëvdoi shumë Ermal Krasniqin, për të cilin tha se pret që do të jetë transferimi më i mirë në historinë e Clujit.

Ermal Krasniqit i kanë mjaftuar tri ndeshje me Clujin për t’i ngazëllyer të gjithë në Rumani. Ai çdo ditë është në shtypin rumun, me personalitete të çmuara të futbollit të vendit gjegjës që glorifikojnë aftësitë e tij teknike.

I fundit ishte edhe ish-sulmuesi rumun, Robert Nita, që u prononcua në lidhje me 24-vjeçarin. Nita tregoi si ka mbetur gojëhapur nga teknika e përsosur që zotëron sulmuesi anësor kosovar. Ai mendon se atij i duhet një skuadër më e madhe për ta dëshmuar vlerën e tij.

“Mendoj se do të ishte më i dobishëm nëse do të luante në një tjetër skuadër. Ai është lloji i lojtarit që mund ta zgjidhë ndeshjen i vetëm. Fizikisht është i fortë”, tha ai.

Tutje, ai theksoi se nëse Krasniqi do ta ruajë këtë nivel të paraqitjeve siç ka treguar në ndeshjet fillestare me Clujin, do të mund të cilësohet edhe si transferimi më i mirë që ka bërë klubi respektiv në histori të vet.

“Nëse vazhdon siç ka filluar me Clujin, do të jetë transferimi më i mirë në histori të klubit”, tha Robert Nita.

Kujtojmë se Krasniqi nënshkroi kontratë trevjeçare me Clujin gjatë afatit kalimtar dimëror. Ballkani inkasoi 300 mijë euro nga shitja e kartonit të tij.

Me t’u transferuar në gjigantin rumun gjithçka filloi mbarë. Që në ndeshjen e parë debutuese shënoi edhe golin e parë me fanellën e re. Kundër Farul ai mahniti opinionin futbolldashës rumun me paraqitjen e tij. Veçanërisht në pjesën e dytë ishte i pandalshëm, duke shënuar një gol dhe një asist.

Lajme të ngjashme