Ish futbollisti i Juventusit: Lojtarët e Kosovës po përformojnë mirë në kampionate shumë të forta
Ish futbollisti i Juventusit, Adrian Mutu thotë se lojtarët e Kosovës po përformojnë mirë në kampionatet më të forta.
Mutu që tani është trajner i skuadrës së Rapid Bukureshtit ka analizuar shortin e grupit I, duke thënë se është një grup jo i lehtë për kombëtaren e tij, Rumaninë.
Ai vlerësoi lartë Zvicrën dhe Izrealin, derisa dha lëvdata edhe për "Dardanët", që po kalojnë një formë të shkëlqyer.
"Nuk shoh ndonjë grup të lehtë. Shumë njerëz thonë se nuk mund të ishte më mirë se kaq. Nuk e di pse, por nëse shikon ndeshjet tona të fundit kundër Izraelit dhe Zvicrës, nuk e di kur është hera e fundit që fituam dhe ne nuk jemi takuar më parë me Kosovën".
"Në nivelin internacional, lojtarët e Kosovës janë duke përformuar në kampionate shumë të forta. Kush do që thotë se është një grup i lehtë, ndoshta dëshiron t'i shtojë presion trajnerit", deklaroi Mutu në konferencë për shtyp, raporton mediumi rumun "sport.ro".
Orari i ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës
Kombëtarja e Kosovës aventurën për kualifikim në Kampionatin Evropian do t’i zhvillojë ndeshjet brenda vitit 2023.
Fillimisht, do të përballemi me Izraelin më 25 mars si mysafir, pastaj do ta presim Andorrën në “Fadil Vokrri” tre ditë më vonë, pra 28 mars.
Orari i plotë:
Izrael - Kosovë (25 mars)
Kosovë - Andorrë (28 mars)
Kosovë - Rumani (16 qershor)
Bjellorusi - Kosovë (19 qershor)
Kosovë - Zvicër (9 shtator)
Rumani - Kosovë (12 shtator)
Andorrë - Kosovë (12 tetor)
Kosovë - Izrael (15 tetor)
Zvicër - Kosovë (18 nëntor)
Kosovë - Bjellorusi (21 nëntor).
Kujtojmë, se pozitat një dhe dy avancojnë direkt në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian, gjë të cilën po synojnë të arrijnë “Dardanët”, pasi nuk është arritur më parë.