Irlanda Veriore mbetet pa njërin nga qendërsulmuesit kryesorë ndaj Kosovës
Irlanda Veriore ka njoftuar se nga grumbullimi është larguar sulmuesi me përvojë Kyle Lafferty. Arsyet zyrtarisht nuk janë sqaruar, por ai nuk do të jetë në fushë ndaj Kosovës.
Ai ishte titullar në ndeshjen e parë që u luajt në “Fadil Vokrri”. Si një sulmues me përvojë, i aftë më së shumti në lojën në ajër, sporadikisht dinte gjatë fazave të caktuara të lojës t’u shkaktonte probleme mbrojtësve dardanë.
Ajo që dihet tashmë është se nuk do të jetë edhe në ndeshjen e nesërme, sepse gjatë ditës së sotme është kumtuar zyrtarisht largimi i tij nga grumbullimi ku po qëndron kombëtarja irlandezo-veriore.
Sulmues 35-vjeç i Kilmarnock do të jetë një mungesë e madhe për vendësit, marrë parasysh që llogaritet një titullar me peshë.
Ai me fanellën e kombëtares ka shënuar 20 gola në 89 paraqitje, që prej vitit 2006 kur ka debutuar për herë të parë.
Kosova duhet t’i bëjë llogaritë me një kombëtare që di ta interpretojë mirë lojën nga goditjet standarde, duke shfrytëzuar fuqinë fizike të lojtarëve. Njëri prej atyre që ka këto tipare është edhe vetë Lafferty, por që nuk do të mund t’i përdorë.
Ndërkohë, Kombëtarja e Kosovës ka mbërritur në Irlandën Veriore. Përkundër mos gjendjes optimale fizike, së bashku me lojtarët ka udhëtuar edhe Amir Rrahmani. Gjatë këtyre minutave “dardanët” do ta zhvillojnë edhe stërvitjen e fundit, para se të zbresin në fushë gjatë ditës së nesërme, nga ora 18:00, për t’u ballafaquar me irlandezo-veriorët.
Sfidë jo e lehtë për Kosovën
Ndeshja e parë përfundoi me fitore të Kosovës, 3:2, në një sfidë që prodhoi gola, por kur edhe kundërshtarët e “dardanëve” kishin dy raste të mira shënimi për të dalë të paktën me një pikë.
Andaj, edhe ndeshja që do të zhvillohet nesër parashikohet të jetë e vështirë për Kosovën. Në përgjithësi, sa i përket rezultateve, Kosova akoma nuk ka shënuar rezultate pozitive në udhëtim ndaj shteteve nordike evropiane.
Me raste është ankuar edhe në mos-përshtatshmëri sa i përket klimës dhe vështirësive tjera që janë hasur rrugës. Nëse këtyre elementeve ua shtojmë edhe mungesat e ndryshme si pasojë e lëndimeve të pranuara, nënkupton se tre pikët nuk janë megjithatë mision i lehtë.
Si Irlanda Veriore, ashtu edhe Kosova, nuk kanë gjasa për t’u kualifikuar tutje në Ligën B apo të avancojnë mëtutje drejt fazës së gjysmëfinales, pasi Greqia e ka fortifikuar pozitën e parë, meqë në katër ndeshje ka arkëtuar pikë maksimale, duke siguruar “de jure” primatin në grup. Kosova do të mundohet ta ruajë pozitën e dytë dhe për ta bërë këtë gjë duhet ta shënojë të paktën një fitore nga dy ndeshjet që kanë mbetur për t’u luajtur.

