Iran – SHBA: Ndeshja vendimtare e Kupës së Botës e njollosur nga tensionet politike
Ndeshja mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara është vendimtare për të dyja kombëtaret në Kupën e Botës 2022, por ajo është rrethuar nga çështjet politike po ashtu, pas një konference të çuditshme për media që i theksoi edhe më shumë tensionet mes këtyre dy vende.
Fituesi i kësaj ndeshjeje, që do të luhet sonte në orën 20:00, do të kalojë në rrethin e 16 më të mirëve në Kupën e Botës në Katar nga Grupi B.
Para kësaj përballjeje, Federata e Futbollit e Amerikës i përkrahu gratë në Irani duke mos e përdorur flamurin e Shtetit Islamik të Iranit në postimet e veta në rrjetet sociale.
Në Iran janë duke u mbajtur protesta të mëdha që prej vrasjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila vdiq në paraburgim pasi ishte arrestuar nga e ashtuquajtura policia e moralit sepse nuk e kishte vendosur siç duhet shaminë në kokë.
Federata e Futbollit e Iranit ishte ankuar në FIFA ndaj SHBA-së që e kishte përdorur flamurin iranian pa emblemën islamike dhe pa mbishkrimin “Allah”, të cilat i ishin shtuar flamurit në vitin 1980.
Federata amerikane tha se me këtë donte t’iu ofronte përkrahje grave në Iran të cilat po luftojnë për të drejtat e veta themelore.
Gratë në Iran e kanë të ndaluar të shkojnë në stadium për të shikuar ndeshje të futbollit të burrave tash e 43 vite.
Irani po ashtu i kërkoi FIFA-s që SHBA-ja të përjashtohej nga Kupa e Botës plotësisht.