Inzaghi: E dinim që do të vuanim kundër Torinos, por fituam si skuadër - NACIONALE

Inzaghi: E dinim që do të vuanim kundër Torinos, por fituam si skuadër

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Inter ka siguruar tre pikë domethënëse kundër Torinos gjatë mbrëmjes së sotme, duke e mposhtur me rezultat të ngushtë 1:0. Inzaghi u shpreh i kënaqur për këtë fitore.

Simone Inzaghi më në fund mund të buzëqesh, pasi skuadra që drejton ai iu kthye shijes së fitores, e cila i mungonte prej afro dy javësh.

Brozovic ishte vendimtar me golin që shënoi pak minuta para se të mbyllej ndeshja, duke i dhënë një infuzion të rëndësishëm skuadrës para sfidave që e presin në vijim.

“Është një fitore tejet e rëndësishme, që e kërkoi dhe deshi skuadra kundër një kundërshtari të fortë, që gjithmonë është e vështirë ta ballafaqosh”, u shpreh përmbledhtazi Inzaghi.

Deklarata e Inzaghit pas sfidës

Trajneri italian i Interit nuk u shfaq i habitur për të gjithë vështirësitë në të cilat hasën gjatë sfidës së sotme kundër Torinos.

“Pas ndeshjes kundër Bayernit të mërkurën, dinim që do të duhej të vuanim kundër Torinos. Kjo është një fitore e skuadrës. Të gjithë më kanë pëlqyer se si kanë luftuar sonte”, tha ai.

Sot, me një paraqitje shumë të mirë u veçua edhe portieri slloven Samir Handanovic, i cili për javë të tëra ishte në qendër të kritikave për gabimet e ndryshme në rastet e pësimeve të golave që iu atribuoheshin atij. Kësisoj, Onana u vendos të luante titullar në Ligën e Kampionëve kundër Bayernit.

“Onana e dija që ishte portier i fortë, por duke e parë nga afër duke u ushtruar e shoh akoma më të fortë. Handanovic është portieri ynë titullar. Nga ndeshja në ndeshje do të vendosi se cili të luajë titullar. Do të ketë një alternim të portierëve. Mirëpo e dimë që Onana do të jetë përcaktues për ne”, nënvizoi Inzaghi.

Një tjetër lojtar që u angazhua shumë në fushë dhe u përpoq në çdo formë ta ndihmojë skuadrën ishte Lautaro Martinez.

“Po, Lautaro bëri paraqitje të mirë, ashtu si Dzeko. Në pjesën e dytë i kemi shërbyer më mirë sulmuesit tanë dhe posaçërisht shumë më mirë sesa në raport me pjesën e parë. Lautaro ka qenë i mirë në fushë dhe përcaktues si të gjithë bashkëlojtarët tjerë”, theksoi ai.

I pyetur nëse kjo fitore shërben për të larguar paksa presionin nga kriza e rezultateve që e kishte kapluar skuadrën, Inzaghi tregoi se çfarë mendon.

“Fitoret janë vetëbesim. Kemi 12 pikë, por jemi duke prosperuar si individualisht, ashtu edhe si skuadër”, deklaroi në fund Inzaghi.

Inter gjatë javës së ardhshme ka dy ndeshje të rëndësishme në program, ku në mesjavë do të luajë në Ligën e Kampionëve si mysafir i Plzen, kurse në Serie A rikthehet të dielën e ardhshme në një sfidë mjaft delikate kundër Udineses në “Dacia Arena”.

Lajme të ngjashme