Interi triumfon me lehtësi ndaj Parmës, tani vetëm një pikë larg Napolit - NACIONALE

Interi triumfon me lehtësi ndaj Parmës, tani vetëm një pikë larg Napolit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kampioni në fuqi i Serie A-së, ka vazhduar serinë e suksesshme të rezultateve, duke shënuar fitore 3:1 në San Siro ndaj Parmës.

Zikaltrit tani në 13 ndeshjet e fundit kanë 11 fitore dhe dy barazime, me humbjen e fundit që daton më 22 shtator ndaj Milanit në derbin e qytetit.

Skuadra e Simone Inzaghit ishte dominuese në çdo cep të fushës ndaj, duke krijuar shumë raste shënimi e mbizotëruar topin në fushë.

Pas disa aksioneve të shpërdoruara, Interi e gjeti golin e epërsisë në minutën e 40-të, kur Federico Dimarco realizoi për 1:0, pas një asistimi shumë të mirë nga Henrikh Mkhitaryan.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë e takimit, teksa në vazhdim u shënuan edhe tre gola.

Mesfushori armen sërish bëri një asist të jashtëzakonshëm, ndërsa kësaj radhe realizues ishte Nicolo Barella, për rezultatin 2:0, në minutën e 53-të.

Në listën e golashënuesve nuk kishte si të mungonte realizatori më i mirë i Interit këtë sezon. Marcus Thuram shënoi për 3:0 në minutën e 67-të, kur u asistua nga Yann Bisseck.

Parma krejt çfarë bëri në këtë takim ishte autogoli i Darmian në minutën e 81-të, për rezultatin përfundimtar 3:1.

Zikaltrit tani janë vetëm një pikë prapa liderit, Napoli, dhe me pikë të barabarta me Atalantën.

Lajme të ngjashme