Interi fiton me shumë lehtësi ndaj Lecces, e rrit diferencën në nëntë pikë me Juventusin - NACIONALE

Interi fiton me shumë lehtësi ndaj Lecces, e rrit diferencën në nëntë pikë me Juventusin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Interi ka shënuar edhe fitoren e 10 radhazi në të gjitha garat, duke e mposhtur me shumë lehtësi Leccen me rezultat 4:0, kështu për ta çuar sërish diferencën në nëntë pikë me ndjekësin më të afërt Juventus, me mundësinë që në mesjavë ta çojë në 12 pikë, pasi zikaltrit kanë një ndeshje të mbetur me Atalantën.

Zikaltrit po kalojnë formë të jashtëzakonshme, pasi janë pa konkurrencë në Serie A, ndërsa edhe në Evropë janë në avantazh nga ndeshja e parë ndaj Atletico Madrid, për një vend në çerekfinale.

Skuadra e Simone Inzaghit e nisi shumë mirë përballjen, ku vetëm pas 15 minutash e gjetën golin e epërsisë, me Kristjan Asllanin që asistoi shumë bukur për Lautaro Martinez, i cili shënoi për 1:0.

Pjesa e parë e takimit nuk dha më shumë gola, por Interi shënoi edhe tre në pjesën e dytë.

Davide Frattesi dyfishoi në minutën e 54-të, me Alexis Sanchez që lëvizi bukur në zonë për të dhënë një asist në vijë të golës.

Vetëm dy minuta më vonë, Lautaro gjeti golin e dytë personal dhe për rezultatin 3:0, kësaj radhe Frattesi asistoi.

Për rezultatin përfundimtar 4:0 shënoi mbrojtësi Stefan de Vrij në minutën e 67-të i asistuar nga Federico Dimarco.

Interi me këtë fitore shkon në kuotën e 66 pikëve pas 25 ndeshjeve, nëntë më shumë se Juventusi në 26 ndeshje dhe 14 më shumë se Milani i vendit të tretë.

Lajme të ngjashme