Inter shpartallon Bolognan, shkëlqen reparti sulmues
Inter ka bërë një paraqitje mahnitëse gjatë mbrëmjes së sotme, duke mposhtur në terrenin e saj 6:1 Bolognan.
Skuadra e Simone Inzaghit reagoi shpejt pas humbjes në derbin e Italisë gjatë fundjavës kundër Juventusit me rezultat 2:0.
Interi demoloi skuadrën e drejtuar nga ish-mesfushori i saj, Thiago Motta. Një përballje e mbizotëruar nga ekipi zikaltër që prej fillimit, ndonëse gjërat nuk shkuan krejt në drejtimin e duhur në fraksionin e parë të lojës.
Ishte ekipi mysafir ai që kaloi i pari në epërsi. Pas një harkimi të mirë nga Orsoloni, ishte Lykogiannis ai që shënoi për 0:1 në minutën e 22-të.
Interi reagoi shumë shpejt me anë të golit të Dzekos në minutën e 26-të. Sulmuesi boshnjak koordinoi një goditje vrastare në brendi të 16-metërshit, për ta finalizuar atë me një gol të bukur për 1:1.
Skuadra milanezë nuk i pushoi përpjekjet për ta përmbysur rezultatin dhe këtij qëllimi ia arriti në minutat në vijim.
Në minutën e 36-të Dimarco shënoi një gol kryevepër nga goditja e dënimit, duke goditur zhagas, përkundër të gjithë murit që e vendosi Bologna para tij.
Serinë e golave për Interin e vazhdoi Martinez në minutën e 42-të. Sulmuesi argjentinas shënoi me kokë pasi Calhanoglu e ekzekutoi bukur një rivënie këndore, duke çuar epërsinë e Interit në 3:1.
Në pjesën e dytë u luajt formalisht, pasi Interi vetëm se e thelloi epërsinë, me Bolognan që u duk ekip i dorëzuar, pa pasur mundësinë që të reagonte në formën e duhur.
Kështu, në minutën e 48-të sërish në skenë doli Dimarco, duke shënuar në brendi të zonës së rreptësisë me një goditje të bukur për 4:1.
Epërsinë e thelloi edhe më shumë mesfushori turk, Calhanoglu, ai që shënoi për 5:1 nga pika e bardhë në minutën e 59-të të takimit.
Ndërkaq për t'i dhënë vulosje fitores ishte goli i Gosens në minutën e 76-të, pasi pranoi një asist nga Dzeko.
Robin Gosens GOAL! pic.twitter.com/JQ1zeDRiQa
— Inter Xtra (@Inter_Xtra) November 9, 2022
Interi në këtë ndeshje bëri zëvendësime të ndryshme, duke pushuar edhe lojtarët. Në përgjithësi u arritën tre pikë më të lehta seç priteshin, duke marrë parasysh që ekipi vjen nga një kalendar i ngjeshur ndeshjesh.
Me këtë fitore Interi shkoi në kuotën e 27 pikëve, duke zënë përkohësisht vendin e 4-të në renditjen tabelore.

